Kryediplomati sirian takon investitorët britanikë në Londër për ta zgjeruar bashkëpunimin ekonomik

Vizita e Asaad al-Shaibanit vjen në kuadër të përpjekjeve të Damaskut për t'i rindërtuar marrëdhëniet me shtetet kryesore perëndimore dhe për të tërhequr investime të huaja.

By
Kryediplomati sirian takon investitorët britanikë në Londër për ta zgjeruar bashkëpunimin ekonomik / AA

Ministri i Punëve të Jashtme të Sirisë, Asaad al-Shaibani, u takua të premten në Londër me një grup investitorësh britanikë për t'i diskutuar mënyrat e forcimit të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve, bëri të ditur Ministria e Jashtme siriane në një deklaratë.

Takimi u zhvillua në kuadër të vizitës së Shaibanit në Mbretërinë e Bashkuar, e cila filloi të mërkurën dhe nuk ka ende një datë përfundimi të shpallur.

Sipas deklaratës, Shaibani u takua me drejtues biznesi dhe investitorë britanikë për të shqyrtuar mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve. Të dyja palët diskutuan projekte të mundshme partneriteti që do t'i ndihmonin përpjekjet e Sirisë në zhvillim.

Ministria citoi Shaibanin të ketë thënë se qeveria siriane “është e përkushtuar për krijimin e një mjedisi miqësor për investime, që sjell përfitime për të dyja palët”.

Të enjten, diplomati i lartë sirian njoftoi rishhapjen e ambasadës së Sirisë në Londër pas 13 vitesh mbylljeje, sipas një postimi që publikoi në X.

Vizita e tij është pjesë e përpjekjeve të administratës së re siriane për t’i dhënë fund izolimit ndërkombëtar të Damaskut pas politikave të regjimit të rrëzuar të Bashar al-Assadit, si dhe për të hapur kanale zyrtare me shtetet kryesore perëndimore.

Rëndësia strategjike e kësaj vizite lidhet gjithashtu me vizitën e fundit të presidentit Ahmad al-Sharaa në Uashington, ku ai u takua me presidentin amerikan Donald Trump, një sinjal i qartë i synimit të Damaskut për të avancuar marrëdhëniet me fuqitë kryesore botërore.

Assad, i cili udhëhoqi Sirinë për gati 25 vjet, u arratis në Rusi dhjetorin e kaluar, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, që kishte qenë në pushtet që nga viti 1963. Një administratë e re tranzitore, e udhëhequr nga Ahmad al-Sharaa, u formua në janar.