Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, ka deklaruar se pavarësisht vështirësive në arritjen e marrëveshjes me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për zgjedhjen e presidentit, ende ekzistojnë përpjekje për ta shmangur shkuarjen në zgjedhje të reja.
Kurti, pas takimit me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë në Kuvendin e Kosovës, tha se propozimi i dakorduar midis LVV-së dhe LDK-së për president, mbetet profesori Bekim Sejdiu.
Ai tregoi se në takim kanë marrë pjesë dhjetë përfaqësues, pesë prej të cilëve janë pjesë e qeverisë dhe pesë të tjerë të legjislaturës së ardhshme.
“Ishim dhjetë veta, pesë jemi në qeveri, pesë në Kuvendin e legjislaturës së ardhshme. Janë dy boshnjakë, dy turq, dy egjiptianë dhe nga një serb, ashkali dhe rom. I falënderova për kontributin që japin dhe do të vazhdojmë të ecim tutje bashkë duke u përpjekur që t’i evitojmë zgjedhjet, tash që kemi marrëveshje”, u shpreh ai.
Kurti tha se situata politike është bërë më e vështirë, sidomos pas zhvillimeve të fundit, por, sipas tij, ka pasur edhe progres.
“Dje pasdite ndodhi një zhvillim negativ, por kemi pasur progres dhe në këtë legjislaturë jemi më mirë sesa në të kaluarën sa i përket numrit të votave për president. Feride Rushiti ka pasur 64, tash Bekim Sejdiu ka 74”, tha ai.
Kurti bëri të ditur se do të zhvillojë konsultime me Kryesinë e Lëvizjes Vetëvendosje për hapat e mëtejmë.
Para takimit me përfaqësuesit e minoriteteve, Kurti takoi kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për t’u informuar zyrtarisht mbi zhvillimet brenda LDK-së.
“Nga kryetari Abdixhiku jam njoftuar mbi situatën që ekziston në subjektin e tij. Gjithashtu e njoftova edhe unë për diskutimet me Grupin Parlamentar të LVV-së. Tash na duhet një mbledhje e re e Kryesisë për të parë se cilat janë mundësitë që të ecim përpara. Vazhdojmë të jemi optimistë, ndonëse situata është më e vështirë se më parë”, tha Kurti.
Për votimin e presidentit të ri të Republikës së Kosovës, duhen 80 nga 120 votat e deputetëve të Kuvendit, në dy rundet e para, ndërsa në rundin e tretë emri i ri i presidentit mund të miratohet edhe me vetëm 61 vota, por me prezencën e 80 deputetëve në sallën plenare.
LVV-ja kushtëzoi formimin e institucioneve të reja me marrëveshje për votimin e presidentit të ri në mënyrë që të mos formohet qeveria e re dhe më pas të konsumohen afatet kushtetuese pa votimin edhe të presidentit.
LDK-ja i ofroi LVV-së votën e saj pa kushte për presidentin, vetëm që ai të jetë një kandidat konsensual dhe me këtë rast, Bekim Sejdiu ishte emri për të cilin u pajtuan të dy partitë, por më vonë, gjashtë deputetë brenda LDK-së dolën kundër këtij propozimi.
Mbetet të shihet nëse do të ketë ndryshim qëndrimesh nga këta gjashtë deputetë, ose LVV-ja do të sigurojë vota nga partitë tjera për Bekim Sejdiun president, apo vendi do të shkojë përsëri në zgjedhje të jashtëzakonshme.



























