Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, i kërkoi në Vilnius presidentit të Lituanisë, Gitanas Nauseda, mbështetje që Traktati i Anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian (BE) të nënshkruhet gjatë presidencës lituaneze të Këshillit të BE-së, në gjysmën e parë të vitit 2027.
Në konferencën e përbashkët për media, pas takimit në Pallatin Presidencial, Millatoviq deklaroi se Mali i Zi po hyn në fazën përfundimtare dhe gjithnjë e më konkrete të integrimit evropian dhe se presidenca e ardhshme e Lituanisë përbën një mundësi të rëndësishme për arritjen e këtij qëllimi.
"Besojmë se ekziston një mundësi reale që Traktati i Anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian të nënshkruhet gjatë presidencës lituaneze të Këshillit të BE-së, në gjysmën e parë të vitit 2027. Llogarisim në mbështetjen e Lituanisë që këtë ambicie ta shndërrojmë në një rezultat konkret", tha Milatoviq, duke theksuar se synimi i Malit të Zi është të bëhet anëtari i 28-të i BE-së deri në vitin 2028.
Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, konfirmoi se vendi i tij do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm rrugën evropiane të Malit të Zi, duke theksuar se Mali i Zi është aktualisht vendi kandidat më i avancuar për anëtarësim në BE.
"Gjatë presidencës së Lituanisë në Këshillin e Bashkimit Evropian, do të përpiqemi të arrijmë përparim të rëndësishëm në përgatitjen e Traktatit të Anëtarësimit të Malit të Zi në BE", tha Nauseda.
Ai vlerësoi përparimin e konsiderueshëm të Malit të Zi në integrimin evropian dhe tha se zgjerimi i BE-së do të jetë ndër prioritetet e presidencës lituaneze. Ai gjithashtu konfirmoi gatishmërinë e vendit të tij për të vazhduar mbështetjen ndaj Malit të Zi në përgatitjet për anëtarësim.
Millatoviq e falënderoi Lituaninë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj zgjerimit të BE-së, bazuar në merita, duke theksuar rëndësinë e partneritetit politik dhe ekspertizës në fazën përfundimtare të negociatave të anëtarësimit.
Ai rikujtoi se Mali i Zi ka hapur të 33 kapitujt e negociatave, nga të cilët 21 janë mbyllur përkohësisht, se është formuar një grup i posaçëm pune për hartimin e Traktatit të Anëtarësimit dhe se Komisioni Evropian e ka paraqitur propozimin për kuadrin financiar të Malit të Zi pas anëtarësimit në BE.
"Anëtarësimi i Malit të Zi do të dërgonte një mesazh të rëndësishëm se zgjerimi është një proces i besueshëm, se reformat shpërblehen dhe se Bashkimi Evropian i përmbush detyrimet e tij kur vendet kandidate përmbushin të tyret", theksoi Millatoviq.
Vizita përbën vazhdim të dialogut mes dy presidentëve pas Samitit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, të mbajtur në qershor të këtij viti në Tivat, ku mori pjesë edhe presidenti Nauseda. Takimi në Vilnius u zhvillua në vitin kur Mali i Zi dhe Lituania shënojnë 20-vjetorin e njohjes nga Lituania të pavarësisë së rivendosur të Malit të Zi dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.
"Nga Adriatiku deri në Baltik, vendet tona janë gjeografikisht të largëta, por na bashkojnë të njëjtat vlera, përkushtimi ndaj lirisë, sovranitetit, së ardhmes evropiane dhe aleancës së fortë transatlantike", tha Millatoviq.
Një pjesë e rëndësishme e bisedimeve iu kushtua sfidave gjeopolitike, situatës së sigurisë në Evropë dhe forcimit të bashkëpunimit në kuadër të NATO-s.
Millatoviq theksoi se Mali i Zi mbetet një aleat i besueshëm i NATO-s dhe një partner i fortë në ruajtjen e sigurisë kolektive, duke rikujtuar mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën.
Presidentët diskutuan gjithashtu mundësitë për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, teknologjik dhe institucional, veçanërisht në fushat e tregtisë, investimeve, digjitalizimit, inteligjencës artificiale, sigurisë kibernetike dhe teknologjive të mbrojtjes.
Millatoviq theksoi se përvoja e Lituanisë në mbrojtjen e infrastrukturës digjitale dhe forcimin e qëndrueshmërisë ndaj kërcënimeve kibernetike dhe hibride mund të jetë veçanërisht e dobishme për Malin e Zi në procesin e modernizimit të administratës publike dhe forcimit të institucioneve shtetërore.
Ai vuri në dukje edhe potencialin për përmirësimin e bashkëpunimit turistik dhe lidhjeve më të ngushta mes komuniteteve të biznesit, duke rikujtuar se vitin e kaluar Malin e Zi e vizituan afro 20.000 turistë nga Lituania dhe se lidhja e drejtpërdrejtë ajrore mes Vilniusit dhe Tivatit krijon mundësi shtesë për zhvillimin e bashkëpunimit.
"Dëshirojmë ta shndërrojmë partneritetin e fortë politik mes vendeve tona në bashkëpunim më konkret ekonomik, teknologjik, të sigurisë dhe arsimor", tha Millatoviq.
Ai shprehu bindjen se Lituania, veçanërisht gjatë presidencës së saj në Këshillin e BE-së, do të jetë një mike dhe partnere e fortë e Malit të Zi në fazën përfundimtare të rrugëtimit të tij evropian.
Në kuadër të vizitës në Lituani, Millatoviq do të vizitojë edhe Qendrën Kombëtare për Sigurinë Kibernetike, ku do të njihet me përvojat e këtij vendi në mbrojtjen e infrastrukturës digjitale dhe luftimin e kërcënimeve bashkëkohore kibernetike.



















