Shkelje masive e të dhënave në Instagram, ekspozohen informacionet e mbi 17 milionë përdoruesve

Të dhënat personale të publikuara në dark web përfshijnë emaile, numra telefoni dhe adresa të pjesshme, sipas raportimeve mediatike.

By
Shkelje masive e të dhënave në Instagram, ekspozohen informacionet e mbi 17 milionë përdoruesve / AP

Të dhëna personale të të paktën 17,5 milionë përdoruesve të Instagramit raportohet se janë publikuar dhe shpërndarë në dark web, duke ngritur shqetësime serioze për privatësinë e përdoruesve dhe sigurinë e platformës, raportuan mediat të shtunën.

Kompania e sigurisë kibernetike Malwarebytes tha se grupi i të dhënave të ekspozuara përfshin emra përdoruesish, emra të plotë, adresa emaili, numra telefoni, adresa fizike të pjesshme dhe informacione të tjera kontakti, sipas Daily Mail.

Megjithëse nuk janë përfshirë fjalëkalime, ekspertët paralajmërojnë se të dhënat e komprometuara mund të përdoren ende për vjedhje identiteti ose mashtrime financiare.

Shkelja u gjurmua fillimisht te një dobësi e vitit 2024 në API-n e Instagramit, sipas publikimit të sigurisë kibernetike CyberInsider.

Raportohet se hakerët kanë anashkaluar masat standarde mbrojtëse të Metas dhe kanë grumbulluar të dhëna sensitive, përpara se një aktor kërcënues i identifikuar si “Solonnik” t’i publikonte regjistrat në BreachForums më herët këtë javë, duke i ofruar të dhënat falas.

“Një rrjedhje kaq masive rrit ndjeshëm rrezikun e fushatave të phishing-ut dhe mashtrimeve të synuara”, u shprehën ekspertët për Malwarebytes, sipas raportimit.

Pas shkeljes, përdorues në disa rajone raportuan se kanë marrë një numër të pazakontë emailesh për rivendosje fjalëkalimi, duke nxitur frikën për kompromentimin e llogarive.

Kompania amerikane Meta, që zotëron platformën e rrjeteve sociale Instagram, nuk ka dhënë një deklaratë publike që ta konfirmojë shkeljen deri në fillim të janarit.

Faqet zyrtare të ndihmës së Instagramit theksojnë se marrja e një emaili për rivendosje fjalëkalimi nuk do të thotë domosdoshmërisht se llogaria është hakuar, por analistët e sigurisë kibernetike sugjerojnë që përdoruesit të tregojnë kujdes.

Raportohet se të dhënat e rrjedhura prekin llogari të Instagramit në mbarë botën dhe përfshijnë si profile personale, ashtu edhe të influencerëve.

Ngjarja vjen në një kohë kur po rritet vëmendja ndaj praktikave të mbrojtjes së të dhënave nga kompanitë e rrjeteve sociale.