Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka zhvilluar vizitë zyrtare në Nikozia të Administratës Greke të Qipros Jugore, ku u prit nga presidenti Nikos Christodoulides, ministri i Punëve të Jashtme, Costantinos Kombos dhe presidentja e Dhomës së Përfaqësuesve, Annita Demetriou.
Hoxha përmes rrjetit social X njoftoi se ka falënderuar Administratëm Greke të Qipros Jugore për mbështetjen e palëkundur ndaj procesit të zgjerimit dhe në veçanti për mbështetjen e rrugës evropiane të Shqipërisë.
“Në një kohë pasigurie globale dhe sfidash sigurie në rritje, Qiproja avancoi një agjendë ambicioze për një BE më elastike, strategjikisht autonome dhe me vizion. Shpreha mirënjohjen tonë për lidershipin e Qipros dhe angazhimin e saj për procesin e zgjerimit, sidomos për rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, deklaroi Hoxha.
Ministri Hoxha theksoi se anëtarësimi në BE mbetet objektivi strategjik kryesor i Shqipërisë, si nxitësi më i fortë për konsolidimin demokratik, transformimin institucional, modernizimin ekonomik dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Hoxha përsëriti qëndrimin se njohja e pavarësisë së Kosovës nga vendet evropiane që ende nuk e kanë bërë, nuk është vetëm çështje dypalëshe, por lidhet drejtpërdrejt me sigurinë dhe stabilitetin e hapësirës evropiane, si dhe me parandalimin e ndikimeve destabilizuese nga aktorë të jashtëm.
Gjatë takimit me presidentin Christodoulides, ministri Hoxha përgëzoi Administratën Greke të Qipros Jugore për udhëheqjen e suksesshme të presidencës së BE-së gjatë gjashtë muajve të parë të vitit.
Gjatë bisedimeve me homologun qipriot Kombos, të dy ministrat ranë dakord për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, me fokus tek ekonomia, tregtia, investimet, turizmi dhe arsimi. Me këtë rast, Hoxha shprehu pritshmërinë për nisjen sa më shpejt të fluturimeve direkte Nikozia–Tiranë, të cilat pritet të rrisin ndjeshëm turizmin, biznesin dhe kontaktet njerëzore mes dy vendeve.
“Ajo lidhet gjithnjë e më shumë me sigurinë dhe stabilitetin e hapësirës sonë të përbashkët evropiane dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm në parandalimin e ndikimeve të jashtme destabilizuese në rajon“, tha Hoxha.
Vizita u përmbyll me një takim me presidenten e Dhomës së Përfaqësuesve, Annita Demetriou, ku u diskutua roli i parlamenteve në avancimin e integrimit evropian dhe mundësitë për intensifikimin e bashkëpunimit ndërparlamentar, shkëmbimin e praktikave më të mira legjislative dhe mbështetjen e qeverisjes demokratike.
Vizita e ministrit shqiptar përkon me 35-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Administratës Greke të Qipros Jugore dhe vjen në fund të presidencës qiprioto-jugore të Këshillit të BE-së.





















