Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka pritur sot në një takim ministrin e Shtetit për Punët e Jashtme të Katarit, Sultan Bin Saad Bin Sultan Al Muraikhi, ndërkohë në fokus ishin marrëdhëniet mes dy vendeve dhe zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme.
Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se në këtë takim, Presidenti Begaj vlerësoi marrëdhëniet "shumë të mira" mes dy vendeve.
"Kreu i Shtetit shprehu vullnetin e Shqipërisë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit politik, ekonomik dhe për rritjen e investimeve mes Shqipërisë dhe Katarit. Gjatë bisedës u konfirmua se këto marrëdhënie janë zhvilluar në frymën e besimit, respektit të ndërsjellë, si dhe gatishmërisë për mbështetje, si në plan dypalësh, ashtu edhe shumëpalësh", thuhet në njoftim.
Duke iu referuar zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme, "situatës së sigurisë dhe problemeve dhe vështirësive me të cilat po përballet Katari përballë konfliktit në rajon", sipas njoftimit, Presidenti Begaj shprehu solidaritetin e Shqipërisë me popullin e Katarit.
Ndërkohë, në një reagim në rrjetet sociale në lidhje me takimin, Begaj ka theksuar se e ka riafirmuar "angazhimin e fortë të Shqipërisë" për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit politik dhe ekonomik, si dhe investimeve, midis Shqipërisë dhe Katarit.





















