Megjithëse sezoni zyrtar i mirëmbajtjes dimërore nis më 15 nëntor, mjetet borëpastruese dhe ekipet e punës kanë qenë në terren që në orët e para të mëngjesit në zonat me reshje, si në aksin Ura e Zapodit–Shishtavec dhe në Theth.
Zëvendëskryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë, Belinda Balluku siguroi se gatishmëria për ndërhyrje do të vazhdojë pa ndërprerje për çdo situatë të mundshme.
“Reshjet e para kanë ardhur më herët këtë vit. ARRSH-ja dhe kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve kanë qenë të gatshme, edhe pse zyrtarisht sezoni dimëror nis më 15 nëntor. Mjetet borëpastruese dhe skuadrat kanë qenë në terren që nga mëngjesi në aksin Ura e Zapodit–Shishtavec dhe në Theth. Qarkullimi në rrugët nacionale vazhdon normalisht,” tha Balluku.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë apelon për kujdes të shtuar nga drejtuesit e mjeteve, veçanërisht në zonat malore, dhe rikujton se rrugët nacionale monitorohen vazhdimisht për të garantuar sigurinë dhe qarkullimin pa probleme.























