Bashkimi Evropian vendosi sot sanksione ndaj zëdhënësit të krahut detar të Korpusit të Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) dhe një komande rajonale për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.
"Këshilli miratoi sot masa kufizuese kundër dy individëve dhe një entiteti nën kuadrin e zgjeruar ligjor që synon ata që janë të përfshirë në veprimet dhe politikat e Iranit që kërcënojnë lirinë e lundrimit në Lindjen e Mesme", thuhet në një deklaratë të Këshillit të Bashkimit Evropian.
Blloku tha se po liston Mohammad Akbarzadeh, zëdhënës për krahun detar të IRGC-së dhe Komandën Provinciale të Hormozganit të organizatës.
BE-ja gjithashtu vuri në dukje se po liston Hamid Hosseinin, një përfaqësues i Unionit të eksportuesve të naftës, gazit dhe produkteve petrokimike të Iranit.
"Ata që janë të listuar nën regjimin e sanksioneve i nënshtrohen ngrirjes së aseteve dhe ndalohet sigurimi i fondeve apo burimeve ekonomike, qoftë drejtpërdrejt apo tërthorazi", thuhet më tej në deklaratë.
Blloku shtoi se ndalimi i udhëtimit në BE "zbatohet për të gjithë personat fizikë të listuar".




















