Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në fjalën e tij përmbyllëse në Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë, ka thënë se ka vetëm një të vërtetë, e cila është pafajësia e tij.
Thaçi i cili po gjykohet bashkë me tre ish-krerë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), tha se ai ishte vetëm një student në Zvicër i cili po përgatitej për provime dhe jo për marrjen e kontrollit në Kosovë, siç po pretendon Prokuroria Speciale e Hagës, kur në Kosovë shpërtheu lufta.
"Për gati tri vjet në këtë sallë ju keni dëgjuar akuzat e prokurorisë. Ju keni dëgjuar edhe të vërtetën. Është vetëm një e vërtetë. Unë jam plotësisht i pafajshëm", tha Thaçi.
Thaçi tha se i vetmi njeri që po bënte plane morbide ishte Sllobodan Millosheviqi, i cili ishte po ashtu faktor që në Kosovë të krijohej rezistenca e cila mblodhi shqiptarë nga shumë anë.
Thaçi tha se për pjesëmarrjen e tij në rezistencën në Kosovë është krenar dhe këtë do ta bënte secili.
"Për ketë jam krenar dhe nuk i bie pishman asnjëherë. Por, është ofendim për kujtimin e heronjve dhe mijëra viktimave. Është ofendim dhe për përpjekjet e NATO-s me të cilët bashkëpunuam ngushtë", ka deklaruar Thaçi.
Sipas Thaçit, kundërshtari i vetëm i tij dhe i UÇK-së ishte regjimi i Millosheviqit.
"Këto akuza janë shumë të rënda. Gjatë luftës nuk e dija nëse do të isha gjallë, prej orës në orë, prej ditës në ditë. Nuk isha i sigurt nëse do të shihja familjen time, gruan dhe djalin e porsalindur e lërë me të ëndërroja të ushtroja kontroll në Kosovë, në Kosovën e pushtuar plotësisht. Fakti që jemi gjallë ishte fat. U ktheva në atdhe për të rrezikuar jetën time për liri. Për çfarë kontrolli është fjala? Kontrolli dhe pushteti ishin në duart e hekurta të Sllobodan Millosheviqit", u shpreh ai.
Thaçi ka thënë se Millosheviqi ishte arsyeja pse UÇK-ja u masivizua dhe jo ai.
"Kjo prokurori më ndau shumë grada, më lavdëroi. Nuk isha unë që e transportova rezistencën nga Perëndimi në Kosovë. Iu bashkova rezistencës në Kosovë. Nuk isha unë arsyeja pse UÇK-ja po mobilizohej, por ishte Millosheviqi", shtoi Thaçi.
Ai tha se Prokuroria po i lartëson në qiell dëshmitë e fabrikuara nga epoka e Millosheviqit, duke injoruar të vërtetën.
Thaçi tutje foli edhe për periudhën e pasluftës, sfidat e Kosovës në shtetndërtim dhe akuzat për krime lufte të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.



























