Volkswagen ka rënë dakord t’ia shesë fabrikën e saj në Osnabruck kompanisë izraelite të kapitalit privat Aurelius dhe landit gjerman të Saksonisë së Ulët, njoftoi sot prodhuesi gjerman i automjeteve.
Sipas marrëveshjes, në fabrikë pritet të prodhohen sisteme të mbrojtjes ajrore nga prodhuesi izraelit i sistemit “Iron Dome”, Rafael.
“Aurelius dhe landi i Saksonisë së Ulët synojnë ta zhvillojnë fabrikën gjatë viteve të ardhshme në një qendër kompetence për zgjidhjet e sigurisë dhe mbrojtjes. Si projekt fillestar, Aurelius dhe landi i Saksonisë së Ulët planifikojnë të bashkëpunojnë me Rafael Advanced Defense Systems”, tha Volkswagen në një deklaratë.
Fabrika pritet të prodhojë sisteme dhe komponentë për sistemet e mbrojtjes ajrore për Gjermaninë dhe Evropën, thuhet në deklaratë. Sipas Volkswagenit, bashkëpunimi synon gjithashtu të hapë rrugën për partneritete dhe projekte të tjera.
Dy vjet më parë, prodhuesi i automjeteve vendosi të ndërpresë gradualisht prodhimin e automjeteve në fabrikën e Osnabruckut deri në verën e vitit 2027.
Në kuadër të planit, Aurelius do të blejë shumicën e aksioneve në fabrikë ndërsa landi i Saksonisë së Ulët do të marrë një pjesë të pakicës. Detajet e marrëveshjes pritet të negociohen gjatë muajve të ardhshëm.
- VW përballet me kritika të mëdha
Volkswageni vitet e fundit është përballur me kërkesë të dobët, kosto vazhdimisht të larta të prodhimit në Gjermani, ndikimin negativ të tensioneve tregtare me SHBA-në dhe konkurrencën e ashpër nga prodhuesit kinezë të automjeteve elektrike.
Drejtori i Përgjithshëm i Volkswagenit, Oliver Blume, kishte deklaruar në mars se kompania do ta ndalojë prodhimin e automjeteve të Grupit Volkswagen në Osnabruck duke filluar nga viti 2027 dhe konfirmoi se kishte zhvilluar bisedime me disa kompani të industrisë së mbrojtjes për shndërrimin e fabrikës për prodhimin e automjeteve ushtarake.
Propozimi që atëherë ka shkaktuar polemika të mëdha në Gjermani.
Punonjës të Volkswagenit, aktivistë të paqes dhe politikanë të opozitës e kanë kritikuar planin, duke argumentuar se prodhuesi i automjeteve duhet të fokusohet ekskluzivisht në prodhimin civil.
Iniciativa e Paqes në Osnabruck (OFRI) ka organizuar gjithashtu disa protesta, duke i bërë thirrje Volkswagenit të heqë dorë nga çdo kontratë në fushën e mbrojtjes.
Partia e Majtë opozitare e Gjermanisë e ka cilësuar “të papranueshëm” bashkëpunimin e planifikuar të Volkswagenit me kompaninë shtetërore izraelite Rafael Advanced Defense Systems, duke iu referuar krimeve të luftës dhe gjenocidit ndaj palestinezëve në Gaza nga qeveria e Netanyahut.
Ndërkohë, Rafael ka zgjeruar praninë e saj në Evropë ndërsa qeveritë në gjithë kontinentin kanë rritur shpenzimet dhe prokurimet në fushën e mbrojtjes pas luftës në Ukrainë.





















