| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
BE-ja dënon "mizoritë" në El-Fasher të Sudanit
Blloku theksoi paralajmërimin e GJNP-së se sulmet në El-Fasher mund të përbëjnë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
BE-ja dënon "mizoritë" në El-Fasher të Sudanit
BE-ja dënon "mizoritë" në El-Fasher të Sudanit / AA
6 Nëntor 2025

Komisioni Evropian dënoi ashpër “mizoritë” e kryera në qytetin El-Fasher të Sudanit nga Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), duke u bërë thirrje të gjitha palëve që të respektojnë të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe të drejtat e njeriut.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Anouar El-Anouni, tha gjatë një konference në mesditë se blloku ka marrë në shqyrtim deklaratën e fundit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), e cila paralajmëroi se sulmet në El-Fasher mund të përbëjnë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

“BE-ja dënon fuqishëm këto mizori dhe çdo sulm që synon civilët apo infrastrukturën civile. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të respektojnë detyrimet e tyre sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të drejtave të njeriut, përfshirë lejimin e qasjes së pakufizuar humanitare”, tha ai.

Duke riafirmuar mbështetjen e bllokut për mekanizmat e drejtësisë ndërkombëtare, El-Anouni theksoi se BE-ja “mbështet Gjykatën Ndërkombëtare Penale dhe parimet e përcaktuara në statutin e saj”, duke nënvizuar respektin për pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatës.

Zyra e prokurorit të GJNP-së tha më 3 nëntor se ishte “thellësisht e alarmuar” nga raportimet për vrasje masive, përdhunime dhe abuzime të tjera të kryera gjatë operacioneve të RSF-së në El-Fasher, qytet që grupi e mori nën kontroll më 26 tetor.

Që nga 15 prilli 2023, ushtria sudaneze dhe RSF-ja janë përfshirë në një luftë që përpjekjet rajonale dhe ndërkombëtare nuk kanë arritur ta ndalin. Konflikti ka shkaktuar mijëra viktima dhe ka zhvendosur miliona njerëz.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë