Sindikatat mbajnë protestën e radhës në Shkup, kërkojnë rritje të pagave

Në protestën e sotme, LSM-ja kërkoi pagë minimale prej 600 eurosh dhe rritje lineare prej 100 eurosh për të gjithë.

By
Sindikatat mbajnë protestën e radhës në Shkup, kërkojnë rritje të pagave / AA

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) organizoi sot një protestë të re në Shkup me kërkesë për rritjen e pagave.

Në protestën e sotme, LSM-ja kërkoi pagë minimale prej 600 eurosh dhe rritje lineare prej 100 eurosh për të gjithë, sepse, sipas tyre, punëtorët nuk janë për rritjen ligjore të pagës minimale prej 1.600 denarësh, por për paga të denja.

Protesta filloi para Shtëpisë së Punëtorëve dhe përfundoi para ndërtesës së qeverisë, ndërsa, sipas organizatorëve, pjesë morën rreth 12 mijë persona.

Kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafilov, tha se 160.000 punëtorë në vend marrin pagë nën kufirin e varfërisë dhe kjo është një bazë e mirë për nevojën e rritjes së pagave të tyre.

Ai tha se rritja e pagës minimale është e nevojshme në një situatë ku kostoja e jetesës po rritet vazhdimisht dhe një numër i madh punëtorësh mezi mbulojnë nevojat themelore.

“Ne punëtorët sot protestojmë për rroga, kemi protestuar dhe do të protestojmë. Nuk ju frikohemi”, tha ai në fjalën e tij para ndërtesës së qeverisë, duke e akuzuar qeverinë për frikësim të punëtorëve për të mos marrë pjesë në protestë.

“Do t’ju premtojmë një gjë. Nëse nesër e rritni pagën minimale në 600 euro, nëse i rritni pagat e të gjithë punëtorëve për të paktën 6.000 denarë (rreth 100 euro), nuk do të më shihni më, nuk do t’ju bëhemi gjemb në këmbë”, tha ai, duke paralajmëruar:

“Në të kundërtën, ju premtojmë luftë më të ashpër, punëtorë më të guximshëm, më shumë protesta, më shumë greva, deri në rritjen e pagave të punëtorëve”.

Ndryshe, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë ka protestuar disa herë këtë vit me kërkesë për rritjen e pagave.

Seanca e fundit e Këshillit Ekonomik dhe Social ka përfunduar pa një vendim për shumën e pagës minimale, sepse përfaqësuesit e LSM-së u larguan nga seanca me shpjegimin se nuk kanë mandat nga punëtorët për të pranuar pagë minimale më të ulët se 600 euro.

Qeveria thotë se tani mbetet të merret një vendim për një rritje ligjore të pagës minimale prej 1.667 denarësh.