Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, e ka vlerësuar “konstruktiv” takimin me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, edhe pse ky i fundit ka thënë se do të qëndrojnë në opozitë edhe për një mandat.
Hamza i cili doli i pari nga takimi konsultativ me Kurtin, i ka uruar suksese Kurtit duke thënë se do të qëndrojnë edhe për një mandat në opozitë. Kreu i PDK-së tha se partia e tij ka garuar me program që ka të bëjë me ekonominë, pagat, pensionet, projektet e energjisë dhe infrastrukturës.
“Qëndrimi ynë është që PDK-ja për këtë mandat është parti në opozitë dhe ne i dëshirojmë sukses Kurtit dhe gjithë atyre që takohen, bisedojnë, t’i japin vendit institucione duke përfshirë të gjitha institucionet, sepse përveç PDK-së, në Kuvend janë edhe 98 deputetë të tjerë dhe matematikisht ka mundësi të bëhet kompletimi i të gjitha institucioneve”, theksoi Hamza.
Ai shtoi se në opozitë, PDK-ja do të bashkëpunojë me të gjitha forcat politike brenda Kuvendit, në interes të qytetarëve, përfshirë marrëveshje financiare dhe ndërkombëtare. Sipas Hamzës të gjitha partitë e tjera nuk mund ta zgjedhin presidentin pa LVV-në dhe ajo duhet të gjejë partnerë sipas nevojave dhe kritereve të tyre.
Kryetari i LVV-së, Albin Kurti e quajti konstruktiv takimin me Hamzën por tha se nuk pati ndonjë rezultat konkret. Ai theksoi se për formimin e qeverisë së re përgjegjësia bie mbi LVV-në, por për zgjedhjen e presidentin, “të gjithë kanë përgjegjësi”.
“Nëse unë si fitues i zgjedhjeve, kryetar i Vetëvendosjes, kam përgjegjësi për formimin e qeverisë, zgjedhje e presidentit nuk është vetëm përgjegjësi e partisë fituese. Zgjedhja e presidentit është menduar që të ndodhë me një bashkëpunim me deputetët. Andaj, edhe ne pikënisje do ta kishim një figurë konsensuale, pra dikush i cili nuk është i asnjë partie politike, dikush që është përtej polemikave të skenës aktuale, dikush i cili ka vlera të dëshmuara kombëtare, profesionale, qytetare dhe në këtë mënyrë të jetë shprehje e unitetit”, theksoi Kurti.
Kurti përveç kreut të PDK-së, tha se do të takohet sot pasdite edhe me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, derisa kritikoi kreun e Aleancës për Ardhëmrine e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, për refuzim të ftesës për takim.
Të enjten (dje) ka hyrë në fuqi afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit. Deputetët e rinj kanë kohë për ta konstituuar legjislaturën e njëmbëdhjetë të Kuvendit deri më 7 gusht. Në zgjedhjet e 7 qershorit, LVV-ja mori 53 deputetë, PDK-ja 22, LDK-ja 18 e Aleanca 7.
Lëvizja Vetëvendosje mund ta bëjë e vetme qeverinë e re, mirëpo i duhet ndihma nga partitë tjera, për votimin e presidentit të ri. Për presidentin e ri sipas Kushtetutës duhen 80 vota në dy runde, apo në rundin e tretë duhet të jenë të pranishëm në sallë 80 deputetë ndërsa 61 prej tyre të votojnë një kandidat/e.
LVV-ja dështoi të gëzojë mbështetjen e partive tjera për presidentin e ri gjatë marsit të këtij viti dhe ky ishte shkaku që vendi automatikisht shkoi në zgjedhje të reja, të tretat zgjedhje të nivelit nacional të mbajtura brenda një viti e gjysmë.






















