Njëzet e shtatë vende kanë ndërmarrë hapa që nga fillimi i luftës me Iranin për të vendosur instrumente krize që do t’u mundësonin qasje të shpejtë në financime nga programet ekzistuese të Bankës Botërore, sipas një dokumenti të brendshëm të parë nga agjencia Reuters.
Dokumenti i Bankës Botërore, i publikuar të premten, nuk i identifikon vendet në fjalë dhe as shumën totale të fondeve që mund të kërkohen.
Sipas dokumentit, tre vende kanë miratuar instrumente të reja që nga fillimi i sulmeve të ShBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt, ndërsa vendet e tjera janë ende në proces të përfundimit të procedurave.
Lufta dhe pasojat e saj në tregjet globale të energjisë kanë goditur zinxhirët globalë të furnizimit dhe kanë penguar dërgesat e plehrave kimike jetike drejt vendeve në zhvillim.
Zyrtarë në Kenia dhe Irak kanë konfirmuar se po kërkojnë mbështetje të shpejtë financiare nga Banka Botërore për t’u përballur me pasojat e luftës, që variojnë nga rritja e çmimeve të karburanteve në vendin afrikan deri te rënia e madhe e të ardhurave nga nafta në Irak.
Këto 27 vende janë pjesë e 101 vendeve që kanë qasje në një formë të financimit të parapërgatitur për situata krize, përfshirë 54 vende që i janë bashkuar Opsionit të Reagimit të Shpejtë, i cili u lejon vendeve të përdorin deri në 10 për qind të fondeve të pashpërndara që kanë në dispozicion.























