Një paqeruajtës i Forcës së Përkohshme të OKB-së në Liban (UNIFIL) është vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur pasi predha mortajash goditën pozicionin e tyre në jug të Libanit, njoftoi misioni të enjten.
Në një deklaratë, UNIFIL-i tha se paqeruajtësi mori plagë të rënda “kur predha mortajash goditën pozicionin e tij pranë Marjayounit, në juglindje të Libanit” vonë të mërkurën në mbrëmje.
Paqeruajtësi i plagosur u evakuua me helikopter në një spital në Bejrut, ku më pas ndërroi jetë nga plagët e marra.
Misioni tha se edhe dy paqeruajtës të tjerë u plagosën në incident dhe po marrin trajtim në një objekt mjekësor brenda një baze të UNIFIL-it.
Forca paqeruajtëse njoftoi se ka nisur hetim “për të përcaktuar rrethanat e sakta që çuan në këtë incident tragjik”.
“UNIFIL-i ka regjistruar një numër gjithnjë e më të lartë trajektoresh dhe goditjesh në jug të Libanit. Dhuna duhet të marrë fund”, thuhet në deklaratë.























