Kolumbia njohu zyrtarisht të hënën sovranitetin e Izraelit mbi Lartësitë e pushtuara të Golanit, një territor strategjik sirian që ndodhet nën pushtimin ushtarak izraelit që nga viti 1967.
“Qeveria e Kolumbisë njeh sovranitetin izraelit mbi këtë territor, si dhe të drejtën e këtij shteti për t’u mbrojtur nga kërcënimet e jashtme”, tha Ministria e Jashtme kolumbiane në një deklaratë.
Ministria pretendoi se ruajtja e kontrollit mbi rrafshnaltën është një “element thelbësor” i mbrojtjes kombëtare të Izraelit, veçanërisht pas përshkallëzimit të sfidave rajonale të sigurisë.
Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, falënderoi presidentin kolumbian Abelardo de la Espriella dhe ministrin e Jashtëm Omar Bula Escobar për ndryshimin e politikës, duke e cilësuar këtë hap si një “vendim historik”.
Ky hap diplomatik vjen ndërsa Izraeli ka zgjeruar praninë e tij ushtarake në Siri pas rënies së regjimit të Assadit në dhjetor të vitit 2024. Tel Avivi e shpalli të pavlefshme marrëveshjen e vitit 1974 për shkëputjen e forcave dhe hyri në zonat tampon të monitoruara nga OKB-ja, pavarësisht se administrata e re siriane rikonfirmoi përkushtimin ndaj marrëveshjeve ekzistuese.
Lartësitë e Golanit, të cilat Izraeli i aneksoi në mënyrë të njëanshme në vitin 1981, mbeten një pikë qendrore e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare. Në vitin 2019, gjatë mandatit të parë të presidentit Donald Trump, ShBA-ja u bë vendi i parë që njohu Lartësitë e Golanit si pjesë të Izraelit.
Espriella, udhëheqësi i ri pro Izrael i Kolumbisë, i cili mori mbështetje të fuqishme nga Trumpi gjatë fushatës së tij, së fundmi urdhëroi pezullimin e hapjes së planifikuar të një ambasade në Palestinë.



















