Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar masakrën në Pastasellë të Rahovecit dhe atë në Burim të Malishevës në 26-vjetorin e ndodhjes së tyre.
Osmani nëpërmjet rrjeteve sociale tha se Kosova nuk do të ndalet së kërkuari drejtësi për viktimat e këtyre masakrave, të kryera nga forcat serbe kundër popullatës civile në Kosovë.
Ajo tha se në vitin 1999 në Pastaselë të Rahovecit, 106 burra, gra dhe fëmijë u vranë brutalisht. "E njëjta valë dhune vazhdoi në Burim të Malishevës, ku 42 civilë të pafajshëm u ekzekutuan pa mëshirë. Por, kujtesa jonë nuk zbehet. Historia nuk mund të harrohet. Me përkushtim dhe vendosmëri, ne do të vazhdojmë ta mbrojmë të vërtetën dhe të kërkojmë drejtësi për viktimat e këtij gjenocidi", ka thënë Osmani.
Në masakrën në Pastasellë të Rahovecit u vranë 106 persona të këtij fshati dhe fshatrave përreth në ditën e fundit të marsit 1999.
Gjithashtu, më 31 mars 1999, te vendi i quajtur Vrella e Mëhillit në Burim të Malishevës u vranë 42 civilë, shumica prej tyre nga fshatrat Dragobil dhe Astrazup si dhe tre banorë të Suharekës, të cilët ishin strehuar në këtë pjesë.