Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi e Shqipërisë bëri të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar gjithsej 38 vatra zjarri në territorin e vendit, nga të cilat 14 vijojnë të jenë aktive dhe po ndiqen në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përkatëse.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 68 automjete zjarrfikëse dhe 601 efektivë zjarrfikës, të cilët po punojnë në terren për izolimin dhe shuarjen e vatrave të mbetura aktive.
Siç raportohet Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë kontribuar me 183 trupa, të pajisura me tre automjete zjarrfikëse dhe tre helikopterë, të aktivizuar në zonat më të vështira dhe me terren malor.
Në mbështetje të operacioneve ajrore, janë përfshirë edhe dy avionë “Canadair” të vënë në dispozicion nga Kroacia dhe Italia, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar për menaxhimin e emergjencave civile.
Strukturat përgjegjëse mbeten të angazhuara në terren dhe vijojnë punën intensive për vënien nën kontroll të plotë të situatës, duke garantuar sigurinë e banorëve dhe mbrojtjen e mjedisit.





















