| Albanian
POLITIKË
2 minuta leximi
Trumpi anulon sulmet e planifikuara ndaj Iranit, thotë se marrëveshja është pranë finalizimit
“Unë, si president i ShBA-së, kam anuluar sulmet dhe bombardimet e planifikuara ndaj Iranit për këtë mbrëmje”, tha presidenti amerikan.
Trumpi anulon sulmet e planifikuara ndaj Iranit, thotë se marrëveshja është pranë finalizimit
Trump anulon sulmet e planifikuara ndaj Iranit, thotë se marrëveshja është pranë finalizimit / Reuters

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, tha të enjten se i ka anuluar sulmet e planifikuara ndaj Iranit, duke lënë të kuptohet se një marrëveshje me udhëheqjen e lartë të Teheranit mund të “finalizohet” së shpejti.

“Bazuar në faktin se diskutimet me Republikën Islamike të Iranit janë ngritur në nivelin më të lartë të udhëheqjes iraniane dhe janë miratuar, unë, si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kam anuluar sulmet dhe bombardimet e planifikuara ndaj Iranit për këtë mbrëmje”, shkroi presidenti amerikan në Truth Social.

“Diskutimet dhe pikat përfundimtare janë miratuar, si në koncept ashtu edhe në detaje, nga të gjitha palët e përfshira, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Izraelin, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin, Türkiyen, Pakistanin, Bahrejnin, Kuvajtin, Jordaninë, Egjiptin dhe të tjerë”, tha ai.

Trump tha se bllokada detare amerikane në Ngushticën e Hormuzit do të mbetet në fuqi derisa të përfundojë marrëveshja, duke shtuar se “koha dhe vendi i nënshkrimit” do të shpallen “së shpejti”.

Në komente të mëvonshme për gazetën New York Post përmes telefonit, Trumpi la të kuptohet se një marrëveshje për fillimin e bisedimeve bërthamore me Teheranin ishte “praktikisht e mbyllur”.

Shkëmbimi i sulmeve midis ShBA-së dhe Iranit vazhdoi për të dytën ditë radhazi të mërkurën, ndërsa Trump paralajmëroi të enjten në mëngjes se Uashingtoni do të kryente sulme të tjera nëse Teherani nuk pranonte menjëherë një marrëveshje paqeje.

“Mbrëmjen e sotme, Shtetet e Bashkuara do ta godasin Iranin (forcat detare, forcat ajrore, radarët, mbrojtjen kundërajrore dhe pothuajse të gjitha kapacitetet e tjera mbrojtëse e shumicën e kapaciteteve sulmuese të të cilit nuk ekzistojnë më) shumë fort”, kishte shkruar Trump më herët në Truth Social.

“Në një moment jo shumë të largët, ne do të marrim Ishullin Kharg dhe pika të tjera të infrastrukturës së naftës dhe do të marrim kontroll të plotë mbi tregjet e tyre të naftës dhe gazit, ashtu siç kemi bërë me Venezuelën, gjë që po funksionon në mënyrë të shkëlqyer si për Venezuelën ashtu edhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shtoi ai.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë