Në kuadër të stërvitjes ushtarake “BLESOK 26”, që po zhvillohet në poligonin e ushtrisë “Krivollak”, aktivitetet taktike të njësive të Grupit të Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë (LPBG) po vazhdojnë me intensitet të shtuar, ku në terren po realizohen skenarë kompleksë që kërkojnë reagim të shpejtë dhe koordinim të lartë nga pjesëmarrësit.
Sipas autoriteteve ushtarake të Maqedonisë së Veriut, LPBG-ja po zhvillon aktivitete në kushte të ndryshme të simuluara taktike, me qëllim vlerësimin e aftësisë së njësisë për reagim në kohë, vendimmarrje dhe koordinim në një mjedis dinamik dhe sfidues.
Në kuadër të aktiviteteve stërvitore po realizohen skenarë që përfshijnë reagim ndaj kërcënimeve të papritura dhe kontakt me kundërshtarin, zbulim dhe vëzhgim në kushte të mbrojtjes nga armët kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore, veprime në rast të cenimit të sigurisë së objekteve ushtarake dhe tentativave për hyrje me forcë në to, si dhe dhënien e ndihmës së parë për personat e lënduar.
Sipas njoftimit nga ushtria e Maqedonisë së Veriut, këto aktivitete janë pjesë e objektivave të stërvitjes dhe synojnë ngritjen e nivelit të gatishmërisë luftarake dhe përmirësimin e aftësive operacionale të njësisë.
Ushtrimi “BLESOK 26” po zhvillohet në kuadër të planit vjetor të trajnimeve të forcave të armatosura të Maqedonisë së Veriut.





















