Kosova shpall Korpusin e Gardës Revolucionare Iraniane "organizatë terroriste"
"Përmes këtij vendimi, Kosova forcon qëndrimin e saj në mbrojtjen e sigurisë ndërkombëtare, vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut", tha kryeministri Kurti
Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin që të shpallë "organizatë terroriste" Gardën Revolucionare Islamike të Iranit, transmeton Anadolu.
Vendimi për të shpallur Gardën Revolucionare Islamike të Iranit një "organizatë terroriste" u diskutua në mbledhjen e sotme të kabinetit të qeverisë së Kosovës.
Duke ia prezantuar kabinetit qeveritar propozim-vendimin, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se projektligji ofron bazën ligjore dhe strategjike për shpalljen e saj si një "organizatë terroriste" në Republikën e Kosovës.
"Garda Revolucionare Islamike e Iranit është përcaktuar si një entitet që përdor terrorizmin dhe dhunën e organizuar si mjet të politikës së jashtme dhe kontribuon në paqëndrueshmërinë rajonale dhe globale. Përmes këtij vendimi, Kosova forcon qëndrimin e saj në mbrojtjen e sigurisë ndërkombëtare, vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut", tha Kurti.
Ai theksoi se me këtë vendim, vendi i tij tregon qartë angazhimin për të qëndruar përkrah aleatëve të tij strategjikë në luftën e përbashkët kundër terrorizmit.
Propozimi u pranua me votim unanim nga anëtarët e kabinetit qeveritar.
Irani ende nuk e njeh shtetin e Kosovës, pavarësia e së cilës u shpall në vitin 2008.