Artistë dhe sportistë që marrin pjesë në organizimin nga Türkiye të Konferencës së OKB-së për Ndryshimet Klimatike COP31, në qytetin e Antalyas, theksuan se të gjithë duhet të marrin përgjegjësi në luftën kundër krizës klimatike dhe të ndërmarrin hapa për brezat e ardhshëm.
Personazhet e njohura, të mbledhur në Pavijonin e Türkiyes në Zonën Blu, në kuadër të COP31, ndanë qëndrimet e tyre lidhur me luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe shprehën kënaqësinë për organizimin e samitit nga Türkiye.
Aktori Baris Arduç tha se COP31 është një samit i rëndësishëm në një kohë kur kriza klimatike ka arritur nivele alarmante, duke shtuar se pas Samitit të Klimës në Paris, tani ka ardhur koha për veprime dhe jo vetëm për fjalë.
Aktori Bulent Inal gjithashtu theksoi rëndësinë e COP31, duke thënë se liderët botërorë janë mbledhur në Antalya për të trajtuar çështjen e ndryshimeve klimatike.
Demet Sener tha se kriza klimatike nuk është më një problem i së ardhmes, por një çështje që ndikon në jetën e përditshme, duke theksuar nevojën për veprim të menjëhershëm.
Ndërkaq, aktorja Meryem Uzerli vuri në dukje se COP31 ka mbledhur numrin më të madh të liderëve botërorë krahasuar me samitet e mëparshme të COP-it.
“Ky është një shkak për krenari të madhe. Për ne është nder të jemi pjesë e tij”, tha ajo.
Ambasadorja e Vullnetit të Mirë e UNICEF-it dhe aktorja Tuba Buyukustun tërhoqi vëmendjen te urgjenca e luftës kundër ndryshimeve klimatike, duke thënë se vendimet duhet të shndërrohen tani në veprime konkrete për të ardhmen e fëmijëve.
Sportistja kombëtare Sahika Ercumen tha se, si dikush që kalon një pjesë të madhe të jetës në det, çdo ditë ndeshet me sasi të mëdha mbeturinash.
Duke vënë në dukje se uji mbulon rreth 70 për qind të sipërfaqes së Tokës, Ercumen tha se mbledhja e shumë vendeve në Antalya përbën një mundësi të rëndësishme.






















