| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Arrestohet shoferi i tramvajit pas aksidentit të rëndë në Sarajevë
Shoferi, A.K. (1978), u arrestua për shkak të dyshimeve për kryerjen e “veprave të rënda kundër sigurisë së trafikut publik”.
Arrestohet shoferi i tramvajit pas aksidentit të rëndë në Sarajevë
Arrestohet shoferi i tramvajit pas aksidentit të rëndë në Sarajevë / AA
15 orë më parë

Policia në Sarajevë ka arrestuar shoferin e tramvajit pas aksidentit të rëndë që ndodhi dje në qendër të kryeqytetit të Bosnjë dhe Hercegovinës, në të cilin një tramvaj doli nga shinat, duke përfunduar me një person të vdekur dhe katër të tjerë të lënduar.

Shoferi, A.K. (1978), u arrestua për shkak të dyshimeve për kryerjen e “veprave të rënda kundër sigurisë së trafikut publik” në lidhje me veprën penale “kërcënim për trafikun publik” dhe aktualisht ndodhet në ambientet zyrtare të Ministrisë së Brendshme të Kantonit të Sarajevës.

Aksidenti ndodhi të enjten rreth orës 12:00, kur tramvaji, duke u lëvizur nga stacioni hekurudhor me shpejtësi të madhe, hyri në një kryqëzim dhe doli nga shinat, goditi stacionin e tramvajit dhe përplasi këmbësorë.

Në vendin e ngjarjes humbi jetën studenti 23-vjeçar Erdoan Morankiq.

Në aksident u lënduan katër persona. Lëndime më të rëndë ka marrë një vajzë shtatëmbëdhjetë vjeçare, e cila është shtruar në spital dhe i është amputuar një këmbë, ndërsa autoritetet spitalore konfirmuan se gjatë natës dhe mëngjesit ka vazhduar trajtimi intensiv dhe reanimacioni.

Hetimi në vendin e aksidentit zgjati gati dhjetë orë, pas së cilës tramvaji i dëmtuar u largua dhe trafiku u rifillua.

Ministri i Transportit i Kantonit të Sarajevës, Adnan Shteta, deklaroi se do të insistojë për përgjegjësi të plotë dhe ndëshkimin e të gjithë atyre që janë përgjegjës për aksidentin, duke shtuar se pas përfundimit të hetimeve dhe konstatimit të të gjitha fakteve dhe ndonjë mangësie, përgjegjësit do të identifikohen qartë.

Prokuroria e Kantonit të Sarajevës njoftoi se do të kryejë të gjitha ekspertizat e nevojshme për të përcaktuar rrethanat dhe mënyrën e ndodhjes së kësaj tragjedie.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë