Kryeministri i Bullgarisë, Rumen Radev, të enjten, vendosi një vijë të kuqe kundër sanksioneve ndaj Rusisë që do të dëmtonin ekonominë e vendit të tij.
“Nuk do të lejojmë sanksione ndaj Rusisë që ndikojnë negativisht në ekonominë bullgare”, u tha Rumen Radev gazetarëve në Sofje, sipas Agjencisë Bullgare të Lajmeve.
Deklaratat e tij erdhën një ditë pasi ministrja e Jashtme, Velislava Petrova, tha se Sofia nuk do të mbështesë sanksionet ndaj Patriarkut Kirill të Moskës.
Radev tha se qëndrimi i Bullgarisë në samitin e Këshillit Evropian këtë javë në Bruksel do të vendoset pas konsultimeve me kolegët.
Ai gjithashtu vuri në pikëpyetje efektivitetin e sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë që nga fillimi i luftës në Ukrainë në vitin 2022, duke thënë: “Është koha të vlerësojmë se si sanksionet ndaj Rusisë kanë kontribuar në arritjen e paqes në Ukrainë.”
Lidhur me propozimet për sanksione ndaj Kirillit, Radev tha se konflikti është zgjeruar përtej fushëbetejës, duke përfshirë edhe sfera të tjera, si feja.
Ai shtoi se shqetësimi i tij nuk lidhet personalisht me patriarkun, por me miliona besimtarë që i përkasin Kishës Ortodokse Ruse.
I pyetur për sulmin rus ndaj manastirit Pechersk Lavra në Kiev, Radev tha se dënon “çdo sulm ndaj objekteve civile”.
Udhëheqësit e BE-së po takohen në Bruksel të enjten dhe të premten për ta diskutuar konkurrueshmërinë, buxhetin afatgjatë të bllokut, Ukrainën, Lindjen e Mesme, migracionin dhe çështje të tjera, sipas Këshillit Evropian.














