Parashikimet për klimën: Temperaturat do të mbeten në nivel rekord në pesë vitet e ardhshme
"Temperatura mesatare vjetore globale afër sipërfaqes parashikohet të jetë 1,2 deri në 1,9 gradë Celsius më e lartë për çdo vit nga viti 2025 deri në vitin 2029", thuhet në raport.
Organizata Botërore Meteorologjike (OBM) bëri të ditur se sipas parashikimeve globale të klimës, temperaturat pritet të mbeten në ose afër niveleve rekord për pesë vitet e ardhshme.
OBM-ja dhe Shërbimi Meteorologjik Britanik (Met Office) kanë publikuar një raport të përbashkët mbi parashikimet e temperaturës për pesë vitet e ardhshme.
"Parashikimet globale të klimës tregojnë se temperaturat pritet të mbeten në ose afër niveleve rekord për pesë vitet e ardhshme, duke rritur rreziqet klimatike dhe ndikimet e tyre në shoqëri, ekonomi dhe zhvillim të qëndrueshëm. Temperatura mesatare vjetore globale afër sipërfaqes parashikohet të jetë 1,2 deri në 1,9 gradë Celsius më e lartë për çdo vit nga viti 2025 deri në vitin 2029 sesa mesatarja e viteve 1850-1900 (epoka para-industriale)", thotë raporti.
Sipas raportit, ekziston një probabilitet prej 86 për qind që të paktën një vit në pesë vitet e ardhshme të jetë 1,5 gradë Celsius mbi nivelin para-industrial se probabiliteti që ngrohja mesatare pesëvjeçare midis viteve 2025 dhe 2029 të jetë më shumë se 1,5 gradë Celsius vlerësohet të jetë 70 për qind.
"Çdo shkallë shtesë e ngrohjes shkakton valë më të dëmshme të nxehtësisë, reshje ekstreme, thatësira intensive, shkrirjen e shtresave të akullit, akullit detar dhe akullnajave, ngrohjen e oqeanit dhe rritjen e nivelit të detit", thuhet në raport.
Raporti kujton se objektivi i Marrëveshjes së Parisit për të kufizuar rritjen e temperaturës globale në 1,5 gradë Celsius është objektiv që pritet të tejkalohet përkohësisht dhe me frekuencë gjithnjë e në rritje nëse tendenca e rritjes së temperaturës globale mbetet në këto nivele.
Dekada më e nxehtë në histori
"Përjetuam dekadën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë. Fatkeqësisht, ky raport i OBM-së nuk tregon shenja lehtësimi në vitet në vijim, që do të thotë ndikime gjithnjë e më negative në ekonomitë tona, jetën e përditshme, ekosistemet dhe planetin tonë", tha Ko Barrett, zëvendëssekretarja e përgjithshme e OBM-së.
Ajo theksoi se monitorimi dhe parashikimi i vazhdueshëm i klimës është thelbësor për t'u ofruar vendimmarrësve mjete dhe informacione të bazuara në shkencë për t'i ndihmuar ata të përshtaten me kushtet e ngrohjes.