Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar Ligjin për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, duke i hapur rrugë organizimit të eventit më të madh sportiv të mbajtur ndonjëherë në Republikën e Kosovës.
Projektligji i cili u miratua me votat e 64 deputetëve të Kuvendit, i parapriu një debati, ku opozita ngriti shqetësime për transparencën, llogaridhënien dhe menaxhimin e financave publike.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arbnora Salihu, ka shprehur shqetësimet e saj lidhur me përmbajtjen e ligjit dhe mungesën e mekanizmave shtesë të raportimit institucional.
Sipas saj, në projektligj duhet të përfshihej edhe raportimi para Kuvendit i Komitetit Organizativ, duke pasur parasysh se financimi kryesor vjen nga buxheti i shtetit si dhe ka ngritur çështjen e shmangies së procedurave të prokurimit publik, për të cilat, sipas saj, ka reaguar edhe Bashkimi Evropian (BE).
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Adelina Thaqi-Meta ka vënë në pah mungesën e qartësisë ligjore dhe të llogaridhënies në projektligj. Ajo ka përmendur vërejtjet e BE-së, duke theksuar shqetësimet për strukturën e bordit drejtues dhe përfshirjen e gjerë të përfaqësuesve qeveritarë në këtë organ.
Ministri i Sportit dhe i Rinisë, Blerim Gashani, ka mbrojtur projektligjin duke theksuar se legjislacioni për prokurimin publik mbetet në fuqi për të gjitha shpenzimet që financohen nga buxheti i shtetit. Ai ka sqaruar se rregulloret e brendshme të Komitetit Organizativ janë në përputhje me ligjin dhe të domosdoshme për organizimin e Lojërave, në përputhje me standardet ndërkombëtare të përcaktuara nga organet përkatëse.
"Ligji për prokurim mbetet plotësisht në fuqi për të gjitha shpenzimet që financohen nga buxheti i shtetit. Rregulloret e brendshme të Komitetit Organizativ nuk mund të bien ndeshe me legjislacionin në fuqi dhe këto rregullore janë të domosdoshme dhe burojnë nga kërkesat dhe standardet e vendosura për këto ngjarje nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare i cili është pronar i lojërave", tha Gashani.
Kujtojmë se Kosova fitoi të drejtën për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 me vendim të Komitetit Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare, duke shënuar një moment të rëndësishëm për sportin. Ngjarja pritet të mbahet kryesisht në Prishtinë, me disa aktivitete që mund të shpërndahen edhe në qytete të tjera, në varësi të infrastrukturës sportive.





















