Nëna e djalit të vrarë për “Sarajevo Safari”: Çfarë përbindëshash vrasin njerëz për argëtim
Vrasjet brutale të civilëve, veçanërisht të fëmijëve gjatë rrethimit të Sarajevës, janë rikthyer në vëmendje pas raportimeve të mediave italiane se Prokuroria e Milanos ka hapur hetim mbi të ashtuquajturit “turizmi i snajperëve”.
Adnan Popovac ishte vetëm gjashtë vjeç kur u vra në Hrasnicë, pranë Sarajevës, në shtator 1994, nga një plumb snajperi i qëlluar nga pozicionet e ushtrisë serbe të Bosnjës.
Hetimi i nisur në Itali, i njohur si “Sarajevo Safari”, po shqyrton pretendimet se gjatë luftës së viteve ‘90, të huaj të pasur paguanin mijëra dollarë për të qëlluar mbi civilë të pafajshëm në qytetin e rrethuar.
Nëna e tij, Fatima Popovac, kujton me dhimbje ditën kur djali i saj u vra ndërsa tezja e mbante për dore. “S’mund ta kuptoj si dikush mund të vrasë një fëmijë për qejf. Çfarë njerëzish janë këta?” thotë ajo, me sytë e mbushur me lot përpara emrit të djalit të gdhendur në monumentin e fëmijëve të vrarë të Sarajevës.
Për Fatimën, lajmi për hetimin në Itali sjell një rreze shprese: “Uroj që e vërteta të dalë në dritë dhe ata që e bënë këtë të marrin dënimin e merituar”.