Zelensky: Një grup ekspertësh ukrainas u nisën për në Lindjen e Mesme
Presidenti ukrainas Zelensky tha se u kërkoi udhëheqësve arabë ta shtyjnë Rusinë për një armëpushim në mënyrë që Ukraina të lirojë forcat për të ndihmuar kundër sulmeve të Iranit.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha sot se një grup ekspertësh u nisën për në Jordani më 5 mars për të ndihmuar ShBA-në t’i mbrojë bazat e saj ushtarake në vendin e Lindjes së Mesme.
Agjencia shtetërore e lajmeve ukrainase Ukrinform tha se ekipi po sjell me vete dronë interceptues.
“ShBA-ja na u drejtua me një kërkesë për ndihmë të enjten, më 5 mars, dhe të nesërmen ekipi ukrainas u nis për në Lindjen e Mesme. Ne iu përgjigjëm menjëherë. Unë thashë: ‘Po, sigurisht, do të dërgojmë ekspertët tanë”, tha Zelensky.
Ai shtoi se në ditët e para pas fillimit të operacionit amerikan dhe izraelit kundër Iranit, ai mori kërkesa për ndihmë nga udhëheqësit e Bahreinit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Jordanisë, Kuvajtit, Katarit dhe Arabisë Saudite.
Një grup tjetër ekspertësh ukrainas thuhet se do të udhëtojnë në Lindjen e Mesme për të ndihmuar vendet të vlerësojnë aftësitë për t’u mbrojtur kundër dronëve iranianë pa përdorur interceptorë të shtrenjtë “Patriot”.
Zelensky tha se u kërkoi udhëheqësve arabë të nxisin Rusinë të ndalojë aktivitetet luftarake, në mënyrë që Kievi të lirojë disa forca për t’i ndihmuar ata.