Përmbledhje e vitit 2025: Viti kur bota hyri në luftë për shkak të tarifave të Trumpit
Gjatë vitit 2025, Uashingtoni rishikoi dhe pezulloi normat tarifore për shumë partnerë tregtarë, duke shkaktuar pasiguri dhe tronditje ekonomike globale që ndikuan nga prodhuesit e kukullave kinezë deri tek fermerët brazilianë.
Ishte viti i Donald Trumpit. Ishte viti i tarifës. Dhe kur presidenti amerikan i përdori taksat si armë, kjo u shndërrua në një luftë të gjithanshme.
Nga dy baza të vogla dhe të largëta në Antarktidë, të populluara nga pinguinët, e deri te ekonomia e dytë më e madhe në botë, Kina, lufta e tarifave përfshiu gjithçka në rrugën e saj, duke i lënë qeveritë të përpiqeshin me nxitim për të ndërmarrë kundërmasa.
Bota pa Trumpin do të "mbushte" sërish bazukën e tij të preferuar ekonomike dhe të do gjuante në çdo drejtim gjatë vitit që po mbyllet. Ajo që nisi si një mburrje fushate, u shndërrua në një tronditje mbarëbotërore që preku këdo, nga prodhuesit kinezë të kukullave e deri tek fermerët brazilianë të kafesë.
Trump, autori zyrtar i librit të shkruar nga "hije" (ghost-written), The Art of the Deal (Arti i Marrëveshjes), e kuptoi shpejt dëmin që retorika e tij tarifore po i shkaktonte ekonomisë amerikane.
Ai filloi të negocionte pauza dhe periudha faljeje (grace periods) pothuajse menjëherë pas njoftimit të një numri të madh tarifash mbi të gjitha llojet e importeve në ShBA.
Një ditë, Kina papritmas u përball me një tarifë prej 125 për qind. Të nesërmen, një shtrëngim duarsh i ulte ato në 10 për qind.
Shkurtimisht, viti që po mbyllet e pa Trumpin t’i kthente tarifat nga një mjet ekonomik i fjetur në një instrument kryesor të politikës së jashtme, duke vendosur detyrime gjithëpërfshirëse mbi importet nga pothuajse çdo vend.
Si nisi gjithçka
Duke evokuar Ligjin për Kompetencat Ekonomike të Emergjencës Ndërkombëtare (IEEPA), Trump shpalli emergjencë kombëtare për shkak të deficitit tregtar, gjë që çoi në tarifa reciproke të shpallura në atë që administrata e quajti "Dita e Çlirimit", më 2 prill.
Shumica e ekonomistëve e kundërshtojnë përdorimin e tarifave, pasi studimet tregojnë se detyrime të tilla shpesh çojnë në kosto më të larta për konsumatorët dhe bizneset, në ulje të konkurrueshmërisë së eksporteve dhe në rënie të rritjes së përgjithshme ekonomike.
Megjithatë, mbështetësit e tarifave pretendojnë se përdorimi i tyre është i nevojshëm për të mbrojtur bizneset vendase nga konkurrenca e huaj dhe për të rritur mbledhjen e taksave.
Vendosja e taksave mbi importin e shtyu normën mesatare efektive të tarifave në ShBA në gati 16 për qind, nivele këto që nuk ishin parë që nga vitet 1930, një periudhë rënieje ekonomike globale kur ShBA-ja iu drejtua detyrimeve të rënda të importit për të mbrojtur industrinë vendase.
ShBA-ja ka mbledhur rreth 200 miliardë dollarë të ardhura për shkak të këtyre tarifave.
Por anët negative të përdorimit të një mjeti negocimi si armë për të detyruar partnerët tregtarë drejt nënshtrimit ekonomik janë të shumta: sfida ligjore, ndërprerje ekonomike dhe përplasje diplomatike.
Në një mënyrë kaotike, ShBA-ja njoftoi, pezulloi, negocioi dhe rishikoi normat tarifore për partnerë të ndryshëm tregtarë gjatë pjesës më të madhe të vitit 2025.
Disa vende, si Zvicra, negociuan një tarifë më të ulët, ndërsa të tjera, si Kina, arritën të shtynin normat deri në 125 për qind përmes angazhimit diplomatik.
Sipas Tax Foundation, një organizatë jofitimprurëse e pavarur për politikat tatimore, tarifat e Trumpit arritën në një rritje mesatare të taksave për familjet amerikane prej 1.100 dollarësh në vitin 2025, pasi detyrimet e reja rritën çmimet e artikujve të përditshëm.
Colin Grabow, analist politikash në Qendrën për Studime të Politikave Tregtare "Herbert A. Stiefel" të Institutit Cato, paralajmëron kundër mbivlerësimit të qëndrueshmërisë së qasjes së Trumpit.
"Mbetet e paqartë se sa e qëndrueshme do të jetë kjo ringjallje e tarifave si mjet gjeopolitik," thotë Grabow për TRT World.
Ai i përshkruan tarifat e Trumpit të vitit 2025 si "më pak një ripërqafim i gjerë i proteksionizmit sesa vazhdimësi e një qasjeje tepër të personalizuar ndaj politikës tregtare".
Grabow vëren se tarifat dolën nga moda pas Luftës së Dytë Botërore për shkak të besimit se proteksionizmi përkeqësoi Depresionin e Madh, një konsensusi në rritje mbi kostot e tyre neto ekonomike dhe pikëpamjes se tregtia e lirë promovon prosperitetin dhe stabilitetin gjeopolitik.
Kalimi i autoritetit tarifor në ShBA nga Kongresi tek Shtëpia e Bardhë e rrënjosi më tej liberalizimin e tregtisë, thotë ai.
Sipas vlerësimit të Grabow, strategjia e Trumpit nuk i ka përmbysur këto themele.
"Mbështetja publike për tregtinë ndërkombëtare mbetet e fortë dhe vetë tarifat janë jopopullore ndërsa kostot e tyre bëhen më të dukshme," thotë ai.
Në vend të një ndryshimi paradigme, tarifat pasqyrojnë prioritetet e një presidenti të vetëm, shton ai, pasi logjika e pasluftës që favorizon liberalizimin e tregtisë mbetet bindëse.
Analisti me bazë në Pekin, Jianlu Bi, paraqet një perspektivë krejtësisht të ndryshme, duke e parë vitin 2025 si një shkëputje vendimtare nga rendi i pasluftës.
"Politika tregtare e Presidentit Trump përfaqëson ringjalljen më agresive të tarifave si mjet gjeopolitik në gati një shekull, duke i dhënë fund efektivisht epokës së liberalizimit tregtar të pas-Luftës së Dytë Botërore," thotë Bi për TRT World.
Duke i ngritur normat mesatare të tarifave të ShBA-së në nivelin e viteve 1940, administrata kaloi nga bashkëpunimi i bazuar në rregulla te ndikimi "reciprok" dhe nacionalizmi ekonomik, thotë ai.
Bi identifikon tre shtylla të çmontuara: multilateralizmi që i lë vend "Marrëveshjeve të Mar-a-Lago-s" dypalëshe me vende si Japonia, Koreja dhe India; prioritizimi i sigurisë kombëtare dhe qëndrueshmërisë mbi efikasitetin në sektorët strategjikë; dhe përdorimi gjeopolitik i tarifave përmes "tarifave dytësore" ndaj kombeve të paangazhuara.
Brazili dhe India, ekonomi të mëdha me marrëdhënie të konsiderueshme tregtare me Uashingtonin, tani përballen me tarifa prej 50 për qind mbi eksportet e tyre në ShBA.
Importet amerikane nga Kanadaja dhe Meksika, të cilat mbetën partnerë të tregtisë së lirë të Uashingtonit për dekada për shkak të marrëdhënieve diplomatike pa probleme dhe afërsisë gjeografike, tani i nënshtrohen një tarife prej 35 për qind dhe 25 për qind, respektivisht.
Kjo qasje përjashtuese, thotë Bi, gjeneroi të ardhura dhe zhvendosje të prodhimit pranë kufijve (near-shoring), por frakturoi sistemin tregtar dhe uli parashikimet për rritjen globale.
Pasojat ekonomike
Pasojat ekonomike në vitin 2025 ishin të rëndësishme, por të pabarabarta.
Grabow i përshkruan tarifat si "një taksë, dhe një taksë veçanërisht joefikase", por shton se ndikimi i tyre global mbeti "i butë, me një zgjerim të vazhdueshëm të tregtisë".
Vlera e tregtisë globale u zgjerua me rreth 500 miliardë dollarë në gjysmën e parë të vitit 2025, sipas UN Trade and Development (Konferenca e OKB-së për Tregtinë dhe Zhvillimin). Në fakt, tregtia globale është në rrugën e duhur për të tejkaluar nivelin e saj rekord të vitit 2024, pavarësisht paqëndrueshmërisë, ndryshimeve të politikave dhe tensioneve të vazhdueshme gjeopolitike.
Faktorët kryesorë lehtësues përfshinin reduktimet e ShBA-së në normat fillestare të "Ditës së Çlirimit" dhe hakmarrjen e kufizuar, me përjashtim të Kinës.
Ndërkohë, kombet e tjera avancuan liberalizimin: "Vetëm këtë javë... Mbretëria e Bashkuar dhe Koreja e Jugut nënshkruan një marrëveshje të përmirësuar të tregtisë së lirë, dhe BE-ja e Mercosur vazhdojnë të punojnë për finalizimin e një marrëveshjeje të tregtisë së lirë," thotë Grabow.
Kina duket se e ka përballuar stuhinë e tarifave me mjaft sukses. Edhe pse eksportet e saj në ShBA ranë në vitin 2025, Pekini arriti të rriste shitjet e mallrave në pjesën tjetër të botës, duke rezultuar në një suficit tregtar rekord të të gjitha kohërave prej mbi 1 trilion dollarësh.
Bi, megjithatë, këmbëngul se lufta tarifore shkaktoi ndërprerje thelbësore. "Një luftë tarifore në shkallë të gjerë... ndërpreu ndjeshëm flukset e tregtisë ndërkombëtare dhe zbehu prodhimin ekonomik global," thotë ai, me institucione si FMN-ja dhe Banka Botërore që citojnë një "frenim të matshëm të rritjes" pavarësisht armëpushimeve dhe përjashtimeve.
Përgjigjet nga partnerët kryesorë ndryshuan. Grabow vlerësoi qasjen e BE-së: "Vendimi i BE-së për të hequr dorë nga hakmarrja dhe madje për të reduktuar disi barrierat e veta tregtare është një përgjigje e lavdërueshme," thotë ai.
Kjo shmangu përshkallëzimin dhe i solli përfitime ekonomisë së saj, me shpresën se tarifat e ShBA-së do të rezultonin të përkohshme.
Bi nënvizon "qëndrueshmërinë institucionale" të Kinës që përshpejtoi mbështetjen te vetja dhe konsumin e brendshëm në mes të luftërave tarifore. Stimujt proaktivë bënë që FMN-ja të përmirësonte parashikimin e rritjes së Kinës për vitin 2025 në rreth pesë për qind, e ushqyer nga inovacioni dhe avantazhi në furnizimet kritike.
Pragmatizmi triumfon
Mes trazirave, Türkiye miratoi një strategji pragmatiste për t'i mbijetuar rikthimit global të tarifave, thotë Mian Waqar Badshah nga Universiteti i Istanbulit për TRT World. "Në vend që të hakmerrej në mënyrë agresive, Ankaraja theksoi forcimin e lidhjeve tregtare rajonale... për të reduktuar varësinë nga tregjet tradicionale perëndimore," thotë ai.
Mbështetja e brendshme për eksportet dhe angazhimi me OBT-në (Organizata Botërore e Tregtisë) demonstruan qëndrueshmërinë dhe diplomacinë e Ankarasë, duke shmangur konfrontimet dhe duke mbrojtur interesat ekonomike kombëtare, thotë ai.
Duke parë përpara, pasiguria vazhdon mes betejave ligjore në zhvillim.
Gjykatat më të ulëta i shpallën tarifat e IEEPA-s të paligjshme, ndërsa Gjykata e Lartë dëgjoi argumentet në nëntor 2025 dhe një vendim është në pritje.
Grabow pret që tarifat të zgjasin për pjesën e mbetur të administratës së Trumpit, por vëren zëvendësime të mundshme me detyrime nën autoritete të tjera në rast se Gjykata e Lartë e ShBA-së i rrëzon ato.
"Zhbërja e tarifave... do të kërkojë lidership, dhe mbetet një pyetje e hapur nëse kjo do të ndodhë."
Bi sheh konsolidim në të ardhmen. "Konsensusi global... është se epoka e tregtisë së globalizuar me tarifa të ulëta ka mbetur tashmë në pasqyrën e pasme," me vitin 2026 që do të solidifikojë një "normalitet të ri" të barrierave më të larta tregtare.
Badshah thotë se tarifat do të mbeten një çështje kryesore, e nxitur nga gjeopolitika dhe politikat klimatike si Mekanizmi i Rregullimit të Kufirit të Karbonit (CBAM) të BE-së, i cili vendos tarifa karboni mbi produktet me intensitet të lartë karboni.
"Për vende si Türkiye, kjo do të thotë të qëndrojnë të shkathët dhe të fokusuar në diversifikimin e tregtisë," përfundon ai.