Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) është takuar me gra lidere, me nikoqire Sheikha Latifa bint Mohammed bin Rashid Al Maktoum, Kryetare e Autoritetit të Kulturës dhe Arteve.
Presidentja Osmani gjatë këtij takimi ka thënë se Kosova dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë të gatshme për të hapur kapituj të rinj bashkëpunimi.
"Kosova dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë më shumë sesa miqësi: kanë hapësirë për të hapur kapituj të rinj bashkëpunimi edhe në kulturë, krijimtari, art dhe inovacion", theksoi Osmani.
Pjesë e këtij takimi ishte edhe Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.
Presidentja Osmani po e përfaqëson Kosovën në Samitin Botëror të Qeverisjes, për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për ta promovuar vizionin e Kosovës për zhvillim dhe inovacion.
Në këtë Samit po marrin pjesë edhe shumë liderë nga mbarë bota, me disa prej të cilëve Osmani zhvilloi takime bilaterale për të diskutuar mundësi bashkëpunimi dhe projekte të përbashkëta strategjike.



















