Bie çmimi i naftës pas deklaratës së Trumpit se lufta me Iranin “është pothuajse e përfunduar”

Çmimet e naftës ranë nën 90 dollarë për fuçi të hënën pasi presidenti i ShBA-së, Donald Trump, tha se lufta me Iranin “është pothuajse e përfunduar”.

By
Bie çmimi i naftës pas deklaratës së Trumpit se lufta me Iranin “është pothuajse e përfunduar” / AP

Çmimet e naftës ranë nën 90 dollarë për fuçi të hënën pasi presidenti i ShBA-së, Donald Trump, tha se lufta me Iranin “është pothuajse e përfunduar”, ndërsa ministrat e energjisë të Grupit të Shtatëshes (G7) sinjalizuan se mund të lirojnë rezervat strategjike të naftës për të ndihmuar në kompensimin e ndërprerjes së madhe të furnizimit të shkaktuar nga lufta me Iranin.

Nafta Brent ra me 4,2 për qind në 87,2 dollarë për fuçi deri në orën 20:10 GMT të së hënës, pasi më herët ishte rritur në 119,50 dollarë. Ky kërcim shënoi herën e parë që nafta u tregtua mbi 100 dollarë që nga pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022.

Nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI) ra me 3 për qind në 88,3 dollarë për fuçi, pasi gjatë natës kishte arritur deri në 119 dollarë.

Rritja e çmimeve erdhi pas uljes së prodhimit nga vendet arabe të Gjirit, ndërsa Ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur për shkak të kërcënimeve të sigurisë nga Irani, duke ndërprerë lëvizjen e dërgesave të naftës.

Deklaratat e Trumpit shtyjnë çmimet në rënie

Megjithatë, çmimet ranë pasi Trump i tha të hënën CBS News se lufta me Iranin “është pothuajse e përfunduar”.

“(Irani) nuk ka marinë, nuk ka komunikime, nuk kanë forcë ajrore. Raketat e tyre janë shpërndarë. Dronët e tyre po shkatërrohen kudo, përfshirë edhe prodhimin e tyre të dronëve”, tha ai, duke shtuar se ShBA-ja është “shumë përpara” afatit fillestar prej katër deri në pesë javësh që kishte parashikuar për luftën.

Sa i përket Ngushticës së Hormuzit, Trump tha se anijet po kalojnë tani përmes saj, por shtoi gjithashtu se po “mendon ta marrë nën kontroll”.

Veçmas, ministrat e financave të G7-ës diskutuan ndikimin e konfliktit me Iranin gjatë një takimi virtual të hënën dhe sinjalizuan gatishmëri për të stabilizuar tregjet globale të energjisë.

“Ne jemi të gatshëm të ndërmarrim masat e nevojshme, përfshirë mbështetjen e furnizimit global me energji, siç është lirimi i rezervave”, thuhet në një deklaratë të përbashkët. Anëtarët e G7 përfshijnë Kanadanë, Francën, Gjermaninë, Italinë, Japoninë, Mbretërinë e Bashkuar dhe ShBA-në.

Më herët, presidenti amerikan Donald Trump kishte shkruar në Truth Social se çmimet më të larta të naftës janë një “çmim shumë i vogël për t’u paguar” për eliminimin e kërcënimit bërthamor të Iranit, duke shtuar se “vetëm budallenjtë do të mendonin ndryshe”.

Ndërkohë, prodhuesit arabë të Gjirit kanë ulur prodhimin pasi nafta po grumbullohet në depot e magazinimit për shkak të mbylljes së Ngushticës së Hormuzit. Tankerët e naftës kanë shmangur kryesisht këtë rrugë të ngushtë detare mes shqetësimeve se Irani mund të shënjestrojë anijet që kalojnë nëpër këtë rrugë.