Osmani: Kosova sot është e lidhur me botën më shumë se kurrë më parë

Presidentja Osmani tha se për Kosovën çdo nismë për ekonominë e gjeneratës së ardhshme duhet të fillojë me të kuptuarit të historisë së këtij vendi disa vite më parë, që doli nga lufta dhe rindërtoi gjithçka nga fillimi.

By
Osmani: Kosova sot është e lidhur me botën më shumë se kurrë më parë / AA

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalën e saj në kuadër të Samitit Botëror të Qeverisjes në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), ka thënë se Kosova është e gatshme të përqafojë plotësisht ekonominë e gjeneratës së ardhshme.

Osmani tha se për Kosovën çdo nismë për ekonominë e gjeneratës së ardhshme duhet të fillojë me të kuptuarit të historisë së këtij vendi disa vite më parë, që doli nga lufta dhe rindërtoi gjithçka nga fillimi.

Sipas Osmanit, Kosova po i qaset inteligjencës artificiale me vizion të qartë dhe vendosmëri, duke theksuar se shteti është i gatshëm ta përqafojë plotësisht këtë teknologji përmes investimeve në aftësi, modernizimit të arsimit dhe krijimit të një mjedisi rregullator që inkurajon inovacionin, duke ruajtur njëkohësisht dinjitetin njerëzor.

“Kosova nuk i qaset inteligjencës artificiale me frikë, hezitim apo masa gjysmake. Ne i qasemi asaj me qartësi dhe bindje. Jemi të gatshëm ta përqafojmë plotësisht, të investojmë në aftësi, të modernizojmë edukimin, t’i hapim institucionet tona ndaj inovacionit dhe të krijojmë një mjedis rregullator të lirë që inkurajon përparimin, duke mbrojtur njëkohësisht dinjitetin njerëzor. Sepse teknologjia pa vlera është fuqi pa përgjegjësi. Dhe inteligjenca artificiale, nëse lihet pa udhëzim ngase mund t’i thellojë ndarjet”, tha Osmani.

Presidentja Osmani foli edhe për ndërtimin e institucioneve të pavarura, profesionale dhe të qëndrueshme, duke theksuar se Kosova është e vendosur t’i ruajë dhe t’i forcojë ato.

Ajo theksoi se Kosova sot është më e lidhur me botën se kurrë më parë, përmes zgjerimit të regjimeve bilaterale pa viza, përfshirë edhe me Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe përmes marrëveshjeve të tregtisë së lirë me Bashkimin Evropian, vendet e EFTA-s, Türkiyen dhe tregje të tjera.

“Përmes qasjes tonë në tregjet e BE-së, vendet e EFTA-s, Türkiyes dhe më gjerë, falë marrëveshjeve ekzistuese të tregtisë së lirë, kompanitë e bazuara në Kosovë operojnë brenda një hapësire ekonomike me më shumë se 700 milion konsumatorë. Kështu ndërtohet besimi. Dhe besimi është themeli i çdo ekonomie konkurruese”, tha Osmani.

Ajo tha se besimi është shtylla kryesore e ndërtimit të ekonomisë.

Presidentja Osmani e cila po e përfaqëson Kosovën në Samitin Botëror të Qeverisjes në EBA, është takuar edhe me një numër presidentësh të vendeve të ndryshme të botës, me qëllim thellimin e bashkëpunimit.