FMN-ja për Kosovën: Pas një viti me bllokadë politike, aktiviteti ekonomik është ngadalësuar
FMN-ja ka përmendur edhe rreziqet për ekonominë e Kosovës, si konfliktet në Lindjen e Mesme, tensionet në tregtinë globale, rritjen e çmimeve të produkteve bazë dhe pasigurinë politike.
Bordi ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka vlerësuar se ekonomia e Kosovës ka vazhduar të rritet por me ritëm më të ngadalshëm, derisa inflacioni është rritur sidomos në çmimet e ushqimit.
Në raportin vjetor të FMN-së për Kosovën, ështëtheksuar se pas një viti me bllokadë politike,aktiviteti ekonomik është ngadalësuar dhe rritja reale e Bruto Produktit të Brendshëm (BPB) ra në 3.6 për qind në vitin 2025, nga 4.6 për qind sa ishte në vitin 2024.
Sipas FMN-së, kjo erdhi si pasojë e rënies së eksporteve dhe dobësimit të kërkesave nga sektori privat, por u kompensua pjesërisht nga rritja e shpenzimeve dhe investimeve publike. Inflacioni në Kosovë, siç thotë FMN-ja, vazhdoi të rritet dhe arriti në rreth 5.7 për qind në janar 2026, kryesisht përshkak të rritjes së çmimeve të ushqimit.
Në parashikimet e FMN-së rritja ekonomike për vitin 2026 pritet të jetë 3,3 për qind, derisa inflacioni po ashtu pritet të rritet në 5.9 për qind dhe pastaj do të bjerë gradualisht në 2 për qind deri në vitin 2028. "Deficiti tregtar do të mbetet i lartë për shkak të importeve të mëdha. Një nga arsyet e rritjes së deficitit në 2026 pritet të jetë edhe ndalja e përkohshme e një termocentrali me qymyr përrenovim", thuhet në publikimin e FMN-së.
FMN-ja ka përmendur edhe rreziqet për ekonominë e Kosovës, si konfliktet në Lindjen e Mesme, tensionet në tregtinë globale, rritjen e çmimeve të produkteve bazë dhe pasigurinë politike.
FMN-ja i ka rekomanduar Kosovës të mos rrisë shumë shpenzimet buxhetore në vitin 2026, të ruajë stabilitetin makroekonomik, të rrisë investimet publike, të rrisë të hyrat buxhetore, të përmirësojë menaxhimin e financave publike, të forcojë mbikëqyrjen e sektorit bankar, të monitorojë kreditë dhe tregun e patundshmërive, të bëjë reforma strukturore për të rritur konkurrueshmërinë, të ulë papunësinë dhe të rrisë pjesëmarrjen e grave në tregun e punës, të zvogëlojë ekonominë joformale dhe të përmirësojë sektorin e energjisë.
FMN-ja në fund ka vlerësuar se ekonomia e Kosovës ka perspektivë pozitive, por përballet me rreziqe nga situata politike dhe zhvillimet ndërkombëtare. Për këtë arsye, kërkohen reforma, kontroll i shpenzimeve dhe investime më të mençura në mënyrë që ekonomia të rritet në mënyrë të qëndrueshme dhe të afrohet me standardet e BE-së.