Dy avionë luftarakë italianë Eurofighter të dislokuar në një mision të NATO-s për mbrojtjen ajrore në Lituani janë ngritur gjatë natës dhe kanë rrëzuar një dron që kishte hyrë në hapësirën ajrore lituaneze, tha sot për Anadolu një zyrtar i NATO-s.
Operacioni është koordinuar përmes Qendrës së Kombinuar të Operacioneve Ajrore të NATO-s në Uedem të Gjermanisë, sipas zyrtarit, i cili foli në kushte anonimiteti.
“Mbrëmë, dy avionë italianë Eurofighter të dislokuar në kuadër të misionit të NATO-s për mbrojtjen ajrore në Siauliai u ngritën në fluturim dhe rrëzuan një dron mbi hapësirën ajrore të Lituanisë. Hetimet po vijojnë së bashku me autoritetet kombëtare”, tha zyrtari në një deklaratë.
Presidenti lituanez Gitanas Nauseda gjithashtu konfirmoi incidentin në një postim në X, duke thënë se “një dron që sapo kishte hyrë në hapësirën ajrore të Lituanisë u shkatërrua nga avionët luftarakë të NATO-s”.
Nauseda falënderoi personelin e NATO-s për “reagimin e shpejtë”, duke thënë se gatishmëria e aleancës është jetike për rajonin ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon.


























