Universiteti i Prishtinës shënon 56-vjetorin, theksohet roli si shpresë për të ardhmen
Kuvendi themelues i Universitetit të Prishtinës u mbajt më 13 shkurt 1970, ndërsa më 15 shkurt të atij viti u mbajt mbledhja solemne dhe kjo datë u shpall Dita e Universitetit të Prishtinës.
Universiteti i Prishtinës ka shënuar 56-vjetorin e themelimit me një ceremoni solemne, ku u theksua roli historik dhe aktual i këtij institucioni si shtyllë e dijes dhe si shpresë për një të ardhme më të mirë.
Ceremonia nisi me intonimin e himnit të flamurit dhe me interpretimin e himnit akademik nga Fakulteti i Arteve.
Rektori i UP-së, Arben Hajrullahu, në fjalën e tij përshëndetëse tha se përvjetorët e rëndësishëm janë momente reflektimi për të kaluarën dhe synim për të ardhmen.
Ai theksoi se Universiteti i Prishtinës ka arritur të mbijetojë periudha të vështira, veçanërisht gjatë viteve ’90.
“Universiteti i Prishtinës asnjëherë nuk u thye dhe nuk u ndal. Ai u pa dhe u përfytyrua më shumë se sa një universitet – shihet si shpresa për një të ardhme më të mirë. Historia e pesë-gjashtë dekadave nuk mund të paramendohet pa studentët dhe profesorët e UP-së. Pritjet nga UP-ja vazhdojnë të jenë shumë të mëdha dhe puna për të mirën e përgjithshme nuk duhet të ndalet kurrë”, tha Hajrullahu.
Ai shtoi se një nga arritjet e fundit është themelimi i Qendrës së Inteligjencës Artificiale, me qëllim përgatitjen e studentëve për zhvillimet e hovshme teknologjike.
Rektori përmendi gjithashtu përvojat ndërkombëtare të studentëve dhe stafit akademik gjatë vitit 2025, si dhe bashkëpunimin me profesorë nga diaspora dhe nga universitete prestigjioze botërore. Ai veçoi edhe suksesin e studentëve të Fakultetit Juridik, të cilët zunë vendin e gjashtë në një garë ndërkombëtare.
Zëvendësministri i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë, Arsim Ademi, tha se Universiteti i Prishtinës ka qenë jo vetëm pishtar i dijes, por edhe i ngritjes së vetëdijes kombëtare.
Ai theksoi se ministria do të vazhdojë me reforma në aspektin rregullativ dhe me mbështetje infrastrukturore, duke përfshirë studime falas dhe bursa për studentët.
“Universiteti nuk ofron thjesht edukim, por është bazë për zhvillim dhe për ruajtjen e vetëdijes kombëtare. Përkushtimi ynë për ngritjen e cilësisë së arsimit të lartë do të jetë i vazhdueshëm”, u shpreh Ademi.
Një histori 56-vjeçare
Kuvendi themelues i Universitetit të Prishtinës u mbajt më 13 shkurt 1970, ndërsa më 15 shkurt të atij viti u mbajt mbledhja solemne dhe kjo datë u shpall Dita e Universitetit të Prishtinës.
Pas 56 vitesh, UP-ja vazhdon të mbetet institucioni më i madh i arsimit të lartë në vend, me synim forcimin e cilësisë akademike, ndërkombëtarizimin dhe përshtatjen me zhvillimet bashkëkohore.