Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan, tha të enjten se Türkiye dhe Bullgaria e kanë riafirmuar vullnetin e përbashkët për ndërtimin e një pikëkalimi të ri kufitar në veri të portës kufitare Kapikule, duke bërë thirrje njëkohësisht që ShBA-ja dhe Irani t'i ndalojnë sulmet dhe të rikthehen në negociata.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp në kryeqytetin bullgar Sofje pas bisedimeve me ministren e Jashtme të vendit, Velislava Petrova-Çamova, Fidani tha se marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje të NATO-s po thellohen në fusha të ndryshme, përfshirë sigurinë kufitare, energjinë, transportin dhe tregtinë.
“Konfirmuam vullnetin tonë të përbashkët për të ndërtuar një pikëkalim të ri kufitar në veri të Kapikules, porta më e ngarkuar kufitare në Evropë. Po ashtu, shkëmbyem mendime për rritjen e kapaciteteve në pikat tona kufitare dhe për projekte rrugore e hekurudhore që do të forcojnë lidhjen rajonale”, tha Fidani.
Ministri turk shtoi se të dy vendet do ta vazhdojnë luftën kundër kërcënimeve të përbashkëta në kufi, veçanërisht migracionit të parregullt, pa kompromis.
Duke theksuar rëndësinë strategjike të infrastrukturës së transportit, ai tha se nga lidhjet më të forta do të përfitojnë jo vetëm dy vendet, por edhe zinxhirët rajonalë të furnizimit, Korridori i Mesëm dhe Evropa.
Ai i falënderoi autoritetet bullgare për lehtësimin e kalimit të kufirit për qytetarët turq gjatë sezonit të verës.
Bashkëpunimi energjetik
Në lidhje me fushën e energjisë, Fidani tha se marrëdhëniet mes dy vendeve janë zgjeruar dhe diversifikuar ndër vite.
“Turkish Petroleum do të nisë këtë vit aktivitetet për kërkimin e naftës dhe gazit natyror në bllokun Han Tervel të Bullgarisë, në zonën e saj ekonomike ekskluzive”, tha kryediplomati.
Ai shtoi se bashkëpunimi në energji dhe transport ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e tregtisë bilaterale, e cila në vitin 2025 ka kaluar 8,4 miliardë euro.
Dy zyrtarët gjithashtu diskutuan çështje të sigurisë rajonale, përfshirë zhvillimet në Detin e Zi dhe në Lindjen e Mesme.
Fidani tha se Grupi i Veprimit për Kundërmasat ndaj Minave në Detin e Zi, i krijuar nga Türkiye, Bullgaria dhe Rumania, luan një rol të rëndësishëm në sigurimin e lirisë dhe sigurisë së lundrimit në rajon dhe se Ankaraja mbetet e përkushtuar për forcimin e kësaj nisme.
Marrëdhëniet Türkiye-BE
Duke folur për marrëdhëniet Türkiye-BE, Fidani tha se krizat e fundit kanë vënë në pah rëndësinë strategjike të lidhjeve mes Ankarasë dhe Brukselit.
“Është e qartë se një arkitekturë evropiane në të cilën Türkiye nuk zë vendin e saj të merituar do të mbetet e paplotë dhe kapaciteti i saj për t'i përballuar krizat do të dobësohet”, tha ai.
“E ardhmja ekonomike e BE-së varet nga rritja e konkurrueshmërisë, forcimi i qëndrueshmërisë dhe rindërtimi i zinxhirëve të furnizimit në gjeografinë e saj të afërt. Në këtë kontekst, integrimi më i thellë ekonomik me Türkiyen është një domosdoshmëri strategjike për BE-në”, shtoi kryediplomati turk.
Kryediplomati gjithashtu theksoi se nismat e BE-së për mbrojtjen dhe sigurinë duhet të ndiqen me një qasje gjithëpërfshirëse që përfshin Türkiyen, një aleat i fortë i NATO-s dhe kontribuues në sigurinë evropiane.
Negociatat ShBA–Iran
Duke folur për tensionet e reja mes ShBA-së dhe Iranit, Fidani tha se kishte pritshmëri të gjera që negociatat do të arrinin një marrëveshje para përshkallëzimit të fundit.
“Ne rekomandojmë që palët t'i ndalin menjëherë sulmet e ndërsjella, të kthehen në tryezën e negociatave dhe të finalizojnë tekstin të cilin ishin afër për ta përmbushur. Përpjekjet tona janë të drejtuara drejt këtij qëllimi”, tha ai.
Shefi i diplomacisë turke paralajmëroi se përshkallëzimi dhe rikthimi në konflikt të plotë nuk do t’i shërbente askujt.
“Pavarësisht sa të vështira dhe të lodhshme mund të jenë negociatat, përfundimi i tyre me sukses duhet të jetë objektivi. Ata duhet ta përmbyllin procesin”, shtoi ai.




















