Në Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit për Kërkim-Shpëtim u realizua Trajnimi Bazik për Kërkim-Shpëtim Urban, niveli bazik me pjesëmarrjen e personelit nga njësit e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe pjesëtarëve nga Ushtria e Republikës Federale të Gjermanisë.
Siç njofton FSK-ja, ky trajnim thekson bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet FSK-së dhe Republikës Federale të Gjermanisë në ngritjen e kapaciteteve profesionale në fushën e kërkim-shpëtimit.
“Pjesëmarrja e pjesëtarëve të Ushtrisë Gjermane kontribuoi në shkëmbimin e përvojave, ndërveprueshmërinë dhe zhvillimin e mëtejshëm të standardeve të përbashkëta të trajnimit”, thuhet në njoftim.
Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit zhvilluan aftësi bazike në kërkim-shpëtim urban, përfshirë teknikat e kërkimit, procedurat e shpëtimit, punën ekipore, masat e sigurisë dhe koordinimin gjatë reagimit në skenarë të fatkeqësive urbane.




























