| Albanian
TÜRKİYE
2 minuta leximi
Një kompani turke e mbrojtjes do të ndërtojë fabrikë municionesh në Estoni
Kompania turke e mbrojtjes "ARCA Defense" dhe Ministria e Mbrojtjes së Estonisë nënshkruan të mërkurën marrëveshje për të krijuar një strukturë prodhimi municionesh në Estoni.
Një kompani turke e mbrojtjes do të ndërtojë fabrikë municionesh në Estoni
Një kompani turke e mbrojtjes do të ndërtojë fabrikë municionesh në Estoni / TRT Balkan

Kompania turke e mbrojtjes “ARCA Defense” dhe Ministria e Mbrojtjes së Estonisë nënshkruan të mërkurën marrëveshje për të ngritur një strukturë prodhimi municionesh në Estoni gjatë Ekspozitës Ndërkombëtare të Mbrojtjes, Aviacionit dhe Hapësirës “SAHA 2026” në Stamboll.

Panairi, organizuar nga “SAHA Istanbul”, po mbahet në Qendrën e Ekspozitave të Stambollit dhe Agjencia Anadolli po shërben si partneri global i komunikimit të aktivitetit.

Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë ministri turk i Mbrojtjes, Yasar Guler, ministri estonez i Mbrojtjes, Hanno Pevkur, presidenti i “ARCA Defense”, Ismail Terlemez, anëtari i Bordit Ekzekutiv të “ARCA Defense”, Ozgur Rodoplu dhe presidenti i “SAHA Istanbul”, Haluk Bayraktar.

Duke folur në ceremoni, Guleri kujtoi pjesëmarrjen në një tjetër ceremoni nënshkrimi në Estoni pesë vjet më parë me Pevkurin, e cila përfshinte automjete të blera nga prodhuesi turk i autoblindave “Otokar”.

“Tani do të doja të shprehja kënaqësinë time të madhe që jam këtu në ceremoninë e nënshkrimit të një marrëveshjeje të tillë midis miqve tanë estonë dhe «ARCA Defense», një nga kompanitë kryesore të vendit tonë”, tha Guleri.

Pevkuri tha se marrëveshja do të thellojë më tej bashkëpunimin në mbrojtje midis Türkiyes dhe Estonisë. “Është gjithmonë mirë të jesh këtu në Stamboll, në Türkiye. Besoj se është një moment historik me të cilin përballemi”, tha ai.

“Sot kemi nderin të nënshkruajmë deklaratën se «ARCA Defense» do të ngrejë një fabrikë municionesh në Estoni, gjë që thellon bashkëpunimin tonë”, theksoi ministri eston.

Pevkuri tha se Estonia tashmë mban një bashkëpunim të fortë në mbrojtje me disa kompani turke.

“Ky është një investim shumë i madh në Estoni. Do të doja të falënderoja «ARCA Defense» për atë investim të jashtëzakonshëm, duke krijuar rreth 1.000 vende pune në Estoni dhe duke filluar prodhimin e municioneve të artilerisë me rreze të gjatë veprimi për Estoninë, për Evropën dhe për vendet e NATO-s”, tha ai.

“Pra, kjo është një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme për të gjithë ne”, shtoi Pevkuri.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë