| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Protestë para Kuvendit të Shqipërisë, regjistrohen tensione
Në drejtim të forcave të policisë u hodhën vezë, domate dhe bidonë, ndërsa organizatorët u bënë thirrje protestuesve të mos sulmonin uniformat blu.
Protestë para Kuvendit të Shqipërisë, regjistrohen tensione
Protestë para Kuvendit të Shqipërisë, regjistrohen tensione

Tensione dhe përplasje u regjistruan paraditen e sotme para Kuvendit të Shqipërisë pak para nisjes së seancës plenare.

Qytetarët të mbledhur përpara godinës së Parlamentit u përballën me efektivët dhe arritën të heqin një pjesë të gardhit metalik të vendosur për sigurimin e perimetrit.

Në drejtim të forcave të policisë u hodhën vezë, domate dhe bidonë, ndërsa organizatorët u bënë thirrje protestuesve të mos sulmonin uniformat blu.

Pjesëmarrësit brohoritën “Deputetë frikacakë”, “Ju erdhi fundi”, “Parlament i krimit”, “Poshtë qeveria” dhe “Nuk na përfaqësoni”, si dhe kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Mediat raportuan se gjatë përplasjeve një efektiv policie mbeti i lënduar.

Protestuesit tentuan gjithashtu të ndërprisnin qarkullimin në kryqëzimin e Rrugës së Elbasanit, duke penguar përkohësisht kalimin e automjeteve.

Përpara protestës dhe seancës plenare, Policia e Shtetit kishte vendosur një perimetër të zgjeruar sigurie rreth Kuvendit. Gardhet metalike shtriheshin nga Rruga e Elbasanit deri pranë Ministrisë së Brendshme.

Në zonë u dislokuan forca të shumta policore, përfshirë repartet “Shqiponja”, ndërsa pranë godinës së Parlamentit u vendosën edhe autobotë me ujë, në gatishmëri për çdo përshkallëzim të mundshëm.

Masat e sigurisë kufizuan hyrjen e qytetarëve dhe automjeteve brenda rrethimit, ndërsa vështirësi për të hyrë në zonë patën edhe përfaqësuesit e medieve.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë