Liderët e bllokut të ndryshimit në Izrael kanë deklaruar se zëvendësimi i kryeministrit në detyrë, Benjamin Netanyahu, sa më shpejt të jetë e mundur është “prioriteti” i tyre më i lartë, ndërsa vazhdojnë përpjekjet për formimin e një qeverie të re.
Duke cituar një deklaratë të përbashkët, transmetuesi izraelit Channel 12 raportoi se Gadi Eisenkot, të cilit i është besuar formimi i qeverisë, u takua me Yair Golan, Naftali Bennett, Avigdor Lieberman dhe Yair Lapid për të shqyrtuar përparimin në negociatat për koalicionin.
"Të gjithë liderët e partive pajtohen se prioriteti i tyre më i lartë është formimi i një qeverie të unitetit kombëtar të udhëhequr nga Gadi Eisenkot dhe zëvendësimi i Benjamin Netanyahut në postin e kryeministrit sa më shpejt të jetë e mundur", thuhet në deklaratë.
Liderët gjithashtu diskutuan përdorimin e shumicës së tyre parlamentare në Knesset, duke iu referuar zgjedhjes së ligjvënësit Matan Kahana si kryetar të parlamentit.
"Ne po koordinohemi, e kuptojmë rëndësinë e kësaj faze dhe po përpiqemi të përshpejtojmë formimin e një qeverie të re", tha Golan për Channel 12 pas takimit.
"Bennett dhe unë vazhdojmë të punojmë me përkushtim për formimin e një qeverie të ndryshimit të udhëhequr nga Eisenkot", tha Lapid për transmetuesin.
Ai i tha veçmas të përditshmes izraelite Yedioth Ahronoth se blloku po punon për krijimin e një qeverie efektive, e aftë për të përballuar sfidat e sigurisë, ekonomisë dhe politikës me të cilat përballet Izraeli.
Blloku i ndryshimit dhe dy listat arabe, Lista e Përbashkët dhe Lista e Bashkuar Arabe, kanë gjithsej 67 vende në Knessetin me 120 anëtarë, përfshirë 19 vende që u takojnë listave arabe.
Më 8 nëntor, presidenti izraelit, Isaac Herzog, ia besoi Eisenkotit mandatin për formimin e qeverisë, i cili ka 28 ditë nga emërimi për të formuar qeverinë dhe mund të marrë një zgjatje prej 14 ditësh.
Nëse dështon, një tjetër anëtar i Knessetit mund të ngarkohet me formimin e qeverisë.
Netanyahu ka udhëhequr një qeveri të ekstremit të djathtë që nga fundi i vitit 2022.
Ai po gjykohet për akuza për korrupsion dhe është në kërkim nga Gjykata Penale Ndërkombëtare që nga viti 2024 për krime lufte në Rripin e Gazës.























