| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Takimi Mickoski–Orban në Budapest: Thellim i partneritetit Maqedoni e Veriut–Hungari
Të dy kryeministrat kanë diskutuar gjithashtu lidhshmërinë infrastrukturore, stabilitetin energjetik dhe bashkëpunimin rajonal, duke e vlerësuar rëndësinë e partneriteteve të forta për stabilitet dhe zhvillim në kushte sfidash globale.
Takimi Mickoski–Orban në Budapest: Thellim i partneritetit Maqedoni e Veriut–Hungari
Takimi Mickoski–Orban në Budapest: Thellim i partneritetit Maqedoni e Veriut–Hungari / TRT Balkan
3 orë më parë

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, gjatë një vizite në Budapest, Hungari, është takuar me homologun Viktor Orban. 

Sipas një njoftimi të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, gjatë takimit është konfirmuar vendosmëria për thellimin e partneritetit strategjik midis dy vendeve, me theks në bashkëpunimin ekonomik, tërheqjen e investimeve të reja, rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe realizimin e projekteve konkrete.

Të dy kryeministrat kanë diskutuar gjithashtu lidhshmërinë infrastrukturore, stabilitetin energjetik dhe bashkëpunimin rajonal, duke e vlerësuar rëndësinë e partneriteteve të forta për stabilitet dhe zhvillim në kushte sfidash globale.

Mickoski ka theksuar mbështetjen që Maqedonia e Veriut merr nga Hungaria për perspektivën evropiane, duke thënë se procesi i integrimit duhet të bazohet në parime të qarta dhe sistem meritor.

Ai gjithashtu ka përmendur rëndësinë e vlerave të përbashkëta, si familja, tradita dhe ruajtja e identitetit kombëtar, si bazë për shoqëri të qëndrueshme dhe të prosperuara. Bashkëpunimi me Hungarinë është vlerësuar edhe në kontekstin e menaxhimit të krizës së migrantëve dhe sigurisë rajonale.

Mickoski po ashtu ka mbajtur fjalim në një ngjarje të organizuar nga Mathias Corvinus Collegium (MCC), një institucion prestigjioz shkencor dhe arsimor, ku ka folur për rëndësinë e lidershipit, vizionit dhe guximit në kohë sfidash evropiane dhe globale, duke përmendur se shtetet e forta ndërtohen mbi politika të qarta, institucione të qëndrueshme dhe mbrojtje të interesave kombëtare.

Ai ka vlerësuar shembullin e Hungarisë në sigurimin e zhvillimit ekonomik, stabilitetit dhe ruajtjen e identitetit, si dhe rolin e Orbanit si lider që merr vendime në interes të shtetit dhe kontribuon për stabilitet rajonal dhe evropian.

Mickoski ka theksuar se partneriteti me Hungarinë është thelbësor dhe i bazuar në besim, vlera të përbashkëta dhe bashkëpunim konkret, duke siguruar zhvillim ekonomik dhe politik dhe përballje të përbashkët me sfidat e kohës moderne.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë