Kryeministri i Serbisë, Gjuro Macut, deklaroi në Athinë se marrëdhëniet midis Serbisë dhe Greqisë janë të rrënjosura thellë në histori, fe dhe vlera të përbashkëta, dhe se ato përfaqësojnë themelin e një dialogu të fortë politik, bashkëpunimit në fushat e sigurisë, ekonomisë, arsimit dhe sportit.
Ai theksoi se Serbia mbetet e përkushtuar për forcimin e partneritetit strategjik me Greqinë dhe promovimin e stabilitetit rajonal.
"Në fjalimin e tij, ambasadori i Serbisë në Greqi, Nikola Nedeljkoviq, shprehu mirënjohjen e tij ndaj popullit grek, Kishës Ortodokse Greke dhe udhëheqjes politike për mbështetjen e tyre të vazhdueshme për integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës së Serbisë në lidhje me Kosovën si dhe për mbështetjen e tyre të fortë për rrugën evropiane të Serbisë", thuhet në faqen e internetit të Qeverisë së Serbisë.
Ai theksoi se në kohë sfidash globale, miqësia dhe marrëdhëniet vëllazërore midis Serbisë dhe Greqisë përfaqësojnë një shembull stabiliteti, respekti të ndërsjellë dhe solidariteti.
Në pritje morën pjesë edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm Ivica Daçiq, ministri i Sportit Zoran Gajiq dhe Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, Petar Janjiq.
Të pranishëm ishin gjithashtu zyrtarë të lartë grekë, kryetari i Parlamentit Nikitas Kaklamanis, ministri i Mbrojtjes Nikos Dendias, ministri i Brendshëm Theodoros Livanios, ministri për Krizat Klimatike dhe Mbrojtjen Civile, Janis Kefaloyanis dhe ministri i Sportit, Janis Vroutzis.
Midis të ftuarve ishin 53 ambasadorë, përfshirë ambasadorët e Letonisë, Gjeorgjisë, Jordanisë, Afrikës së Jugut, Tajlandës dhe Kilit, të cilët nuk janë rezidentë dhe mbulojnë Serbinë nga Athina si dhe ambasadorja e ShBA-së, Kimberly Guilfoyle.
Në pritje morën pjesë gjithashtu përfaqësues të shumtë të ekonomisë, diplomacisë, sportit dhe kishës.




























