Mes tensioneve të vazhdueshme lidhur me Ngushticën e Hormuzit, Irani njoftoi të enjten se portet e tij janë të gatshme të ofrojnë shërbime detare, mbështetje teknike, furnizime dhe ndihmë mjekësore për anijet që operojnë në këtë zonë dhe në ujërat territoriale përreth.
Njoftimi erdhi përmes një mesazhi të Organizatës së Porteve dhe Çështjeve Detare të Iranit drejtuar komandantëve të anijeve tregtare që operojnë në rajon, raportoi agjencia shtetërore IRNA.
Sipas mesazhit, të gjitha anijet që lundrojnë në ujërat territoriale, veçanërisht ato në ujërat dhe portet iraniane, mund të përfitojnë sipas nevojës nga furnizimet, karburanti, shërbimet shëndetësore dhe mjekësore, si dhe materialet e mirëmbajtjes.
Organizata bëri të ditur se ky mesazh do të transmetohet përmes rrjeteve të komunikimit detar dhe sistemeve me frekuencë shumë të lartë (VHF) në rajon tri herë në ditë për tre ditë radhazi.
Që nga 13 prilli, ShBA-ja ka vendosur një bllokadë detare që synon trafikun iranian në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë ujore kyçe për transportin ndërkombëtar, veçanërisht të naftës.
Tensionet në rajon janë përshkallëzuar që kur ShBA-ja dhe Izraeli nisën sulme ndaj Iranit më 28 shkurt, duke shkaktuar kundërpërgjigje nga Teherani dhe ndërprerje në Ngushticën e Hormuzit.
Një armëpushim hyri në fuqi më 8 prill me ndërmjetësimin e Pakistanit, por bisedimet në Islamabad nuk arritën një marrëveshje të qëndrueshme. Armëpushimi u zgjat më pas nga presidenti amerikan Donald Trump pa një afat të përcaktuar.















