Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) organizoi protestë para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut me kërkesë për rritjen e pagës minimale në 600 euro dhe rritje prej 100 eurosh për të gjitha pagat e tjera.
LSM-ja bllokoi hyrjet e Qeverisë në Shkup ndërsa Qeveria mbante seancë të rregullt.
Kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafillov, në deklaratën për mediet tha se dërgojnë mesazh deri te qeveria që në seancën e sotme shumë seriozisht të diskutojë për kërkesën e punëtorëve për rritjen e pagës minimale si dhe të pagave të tjera.
Ai tha se në periudhën e ardhshme nuk përjashtohen protesta të tilla edhe në qytete të tjera, duke shtuar se i japin afat qeverisë deri në fund të muajit shkurt që të vendosë se për sa do të rriten pagat.
"Duam të dërgojmë mesazh se nëse deri në fund të muajit shkurt nuk bien dakord, nuk ulen dhe nuk bisedojmë për rritjen e pagës minimale dhe për rritjen e të gjitha pagave të tjera, pason grevë e përgjithshme me protestë të përgjithshme punëtore që do të jetë jashtë orarit të punës në të cilën do të ftohen të gjithë punëtorët që mendojnë se pagat e tyre janë të ulëta", tha Trendafillov duke shtuar se këtë do ta bëjnë në gjysmën e parë të muajit mars kur do të përcaktohet rritja e pagës minimale.
Kujtojmë se LSM-ja edhe më herët ka organizuar protesta dhe bllokada në lokacione të ndryshme me kërkesë për rritjen e pagës minimale në 600 euro dhe rritje prej 100 euro për të gjitha pagat e tjera.




























