Sot në qytetin e Vallandovës në Maqedoninë e Veriut u hap Festivali i 33-të Pranveror "Hidrellez", i cili është në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s.
Festivali nisi me ceremoninë e organizuar në fshatin Çallakli të Vallandovës, ku u intonuan himni kombëtar turk dhe himni i Maqedonisë së Veriut.
Në ceremoni morën pjesë Ambasadori i Turqisë në Shkup, Fatih Ulusoy, kryetari i Komunës së Vallandovës, Gjoko Kamçev, deputetë dhe politikanë nga Maqedonia e Veriut, përfaqësues të Festivalit Ndërkombëtar Hidrellez, përfaqësues institucionesh nga Türkiye, si dhe përfaqësues të institucioneve turke dhe lokale dhe banorë të zonës.
Ambasadori Ulusoy në fjalën e tij tha se Festivali Ndërkombëtar Hidrellez jep kontribut të madh në ruajtjen dhe përcjelljen e traditave të komunitetit turk në Maqedoninë e Veriut te brezat e ardhshëm, si dhe në mbrojtjen e vlerave kulturore dhe zakoneve.
Duke rikujtuar se Festivali Ndërkombëtar Hidrellez u përfshi në vitin 2017 në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s si rezultat i përpjekjeve të përbashkëta të Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut, Ulusoy tha: “Türkiye dhe Maqedonia e Veriut, kulturat e të cilave janë ndërthurur duke ndarë të njëjtën gjeografi dhe histori, festojnë çdo vit ardhjen e pranverës krah për krah si shprehje e marrëdhënieve të veçanta mes komuniteteve të ndryshme etnike që jetojnë në këto troje”.
Ai theksoi se Türkiye, përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse, vazhdon të mbështesë si komunitetin turk në Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe komunitetet tjera vëllazërore në të gjitha fushat, përmes institucioneve si TIKA, Fondacioni Maarif, Instituti Yunus Emre, Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve dhe institucione dhe organizata të tjera.
Kryetari i Vallandovës, Kamçev, e nisi fjalimin e tij në gjuhën turke duke thënë: “Përshëndetje Çallakli. Gëzuar Hidrellezin! Jam i lumtur që ndodhem këtu. Faleminderit”.
Ai shprehu kënaqësinë që Vallandova është nikoqire e një festivali të tillë, duke theksuar se kjo dëshmon rëndësinë e kulturës, traditave dhe vlerave të kultivuara prej dekadash në Çallakli, jo vetëm për komunën, por për gjithë rajonin dhe Republikën e Türkiyes.
Kryetari i festivalit, Senol Tahir, rikujtoi se festivali nisi si festë pranverore për ruajtjen e traditave të Hidrellezit dhe tha se ai vazhdon të shërbejë si urë kulturore mes Ballkanit dhe Euroazisë.
Ndërkaq, Tahsin Ibrahim nga Lidhja e Organizatave Joqeveritare Turke në Maqedoni (MATUSİTEB) theksoi rëndësinë e Hidrellezit, duke thënë se festivale të tilla nuk janë vetëm argëtim, por edhe takime të rëndësishme kulturore që forcojnë vëllazërinë dhe solidaritetin shoqëror.
Në kuadër të manifestimit, grupe folklorike nga Türkiye, Republika Turke e Qipros Veriore, Moldavia dhe vendet e Ballkanit shfaqën valle tradicionale, ndërsa garat tradicionale të mundjes me vaj u ndoqën me interes të madh.
Gjatë programit u ndanë pllaka mirënjohjeje për personat dhe institucionet që kontribuuan në organizimin e festivalit, ndërsa u vizitua edhe ekspozita e hapur në shkollën e fshatit.
Manifestimi, i organizuar nën patronazhin e ministrive të Kulturës dhe Turizmit të Maqedonisë së Veriut dhe Türkiyes, me mbështetjen e TIKA-s, Halkbank Shkup dhe institucioneve të tjera, do të përfundojë nesër.
Festivali Pranveror Hidrellez u përfshi në vitin 2017 në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s me iniciativë të përbashkët të Türkiyes dhe Maqedonisë së Veriut.






















