Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, për të diskutuar mbi zgjedhjen e presidentit të ri, pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmani më 4 prill 2026.
Takimi, i cili zgjati për rreth dy orë në Kuvendin e Kosovës, u mbajt vetëm dy ditë pasi detyrën e ushtrueses së presidentes e mori kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ndërsa partitë politike ende nuk kanë arritur marrëveshje për emrin e ri të presidentit.
Kryetari i LVV-së, njëherësh kryeministër, Albin Kurti, tha se takimi me Abdixhikun shkoi në një atmosferë konstruktive dhe dashamirëse.
“Jemi të përcaktuar që t’i shmangim zgjedhjet e reja, sepse zgjedhjet e reja nuk do të ishin zgjidhje për numrin e nevojshëm prej 80 deputetësh. Me fjalë të tjera, është vështirë që ta paramendojmë një fushatë zgjedhore ku ne i risjellim platformat dhe programet tona, me po të njëjtat zotime kërkojmë sërish votën e të njëjtëve qytetarë për një rezultat që e dimë që nuk mund të jetë shumë ndryshe”, tha Kurti.
Kurti theksoi se vazhdon të jetë optimist se me takime dhe bisedime të tilla do të mund të arrijnë tek një marrëveshje politike në tre javët e mbetura të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri.
Ai shtoi se do të përpiqet të takohet edhe me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, për shkak se sipas tij presidenti nuk është vetëm i një apo dy partive, por përfaqëson unitetin e popullit.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se partia e tij beson që të tri pozitat: presidenti, kryeministri dhe kryeparlamentari, nuk mund t’i takojnë një partie politike.
Abdixhiku tha se po provojnë të gjejnë zgjidhje të përbashkët konsensuale me takime.
“Po përpiqemi të gjejmë zgjidhje. Derisa jemi në takime po përpiqemi të gjejmë zgjidhje. Në momentin që nuk ka takime atëherë kuptoni që zgjedhjet do të jenë të pashmangshme. Pra, nëse nuk bëjmë asgjë për tre javët e ardhshme, zgjedhjet i kemi të pashmangshme”, tha Abdixhiku.
Abdixhiku tha se nga partia e tij nuk kanë një të propozuar konkret për emrin e presidentit të ri, ngase “ende nuk është arritur deri në atë fazë”.
Lëvizja Vetëvendosje ka 57 deputetë e vetme dhe 66 me mbështetjen edhe të deputetëve nga minoritetet joserbe, ndërsa për zgjedhjen e presidentit duhen 80 vota.
Partia e Kurtit më herët ka propozuar si kandidatë Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxhan, pa arritur kuorum për emërimin e tyre.
Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar 28 prillin si afatin e fundit për zgjedhjen e presidentit, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje të reja, të cilat Qeveria e Kosovës thotë se duhet të shmangen përmes marrëveshjes politike.






















