Ministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Kosovë, Fitore Pacolli, ka prezantuar angazhimet dhe përvojën e Kosovës në menaxhimin e mbeturinave në kuadër të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për ndryshimet Klimatike (COP31), që po mbahet në Antalya të Türkiyes.
Ministrja Pacolli përmes rrjeteve sociale njoftoi se ka marrë pjesë në panelin “Shqipëria pa mbetje: Nga Reforma te Zbatimi”, të organizuar nga Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit e Shqipërisë.
Pacolli tha se në këtë panel, së bashku me përfaqësuesit e Shqipërisë, kanë diskutuar vizionin dhe hapat drejt vendeve pa mbetje, duke shkëmbyer përvojat dhe sfidat në këtë fushë.
“Në këtë panel prezantova angazhimet dhe përvojën e Kosovës në menaxhimin e mbeturinave, duke filluar nga forcimi i inspektimeve dhe largimi i deponive ilegale, e deri te reformat e thella ligjore, ndërtimi i qendrave për ndarje dhe kompostim, si dhe investimet në ekonominë e gjelbër”, shkroi Pacolli.
Ajo theksoi po ashtu se ndarja e mbeturinave kërkon një sistem funksional, përgjegjësi të lartë institucionale dhe zbatim rigoroz të ligjit.























