| Albanian
BOTA
3 minuta leximi
Kreu i CENTCOM-it takon shefat e ushtrisë izraelite dhe Mossadit mes tensioneve me Iranin
Ushtria izraelite nuk i specifikoi skenarët dhe nuk bëri të ditur nëse Irani ishte diskutuar drejtpërdrejt.
Kreu i CENTCOM-it takon shefat e ushtrisë izraelite dhe Mossadit mes tensioneve me Iranin
Kreu i CENTCOM-it takon shefat e ushtrisë izraelite dhe Mossadit mes tensioneve me Iranin/ AA / َAA

Kreu i Komandës Qendrore të Ushtrisë Amerikane (CENTCOM), admirali Brad Cooper, ka zhvilluar një takim trepalësh në Tel Aviv me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite, Eyal Zamir dhe drejtorin e Mossadit, Roman Gofman, mes raportimeve mediatike për përgatitjet për rifillimin e mundshëm të sulmeve ndaj Iranit.

Ushtria izraelite njoftoi se Zamir u takua me Cooperin në selinë ushtarake në Kirya, e njohur gjithashtu si Kampi Rabin, gjatë vizitës së komandantit amerikan në rajon. Ajo konfirmoi se Gofman iu bashkua dy komandantëve për një takim të veçantë trepalësh.

Ushtria tha se Zamir dhe Cooper zhvilluan gjithashtu një "vlerësim të përbashkët dhe gjithëpërfshirës të situatës" me oficerë të lartë nga të dyja palët. Nga pala izraelite morën pjesë shefat e operacioneve, planifikimit dhe inteligjencës ushtarake, si dhe komandanti i forcave ajrore.

Komandantët diskutuan "zhvillimet rajonale dhe sfidat e përbashkëta të sigurisë". Ata diskutuan gjithashtu "rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit strategjik dhe operacional mes dy ushtrive, forcimit të koordinimit dhe rritjes së gatishmërisë së përbashkët për t'u përballur me një sërë skenarësh".

Ushtria izraelite nuk i specifikoi skenarët dhe nuk bëri të ditur nëse Irani ishte diskutuar drejtpërdrejt.

Gazeta Yedioth Ahronoth raportoi se Cooper dhe Zamir diskutuan zhvillimet e fundit dhe shkallën e gatishmërisë së ushtrive të tyre për të rifilluar operacionet në shkallë të gjerë kundër Iranit, nëse do të ishte e nevojshme.

Transmetuesi publik izraelit më 11 nëntor raportoi se kabineti i sigurisë i kishte kërkuar ushtrisë të shtonte përgatitjet për një sulm të mundshëm ndaj Iranit.

Takimi u zhvillua disa ditë pasi Gofman vizitoi SHBA-në për bisedime me zyrtarë të lartë të administratës së presidentit Donald Trump lidhur me Iranin. Mediat izraelite raportuan se ai u takua me drejtorin e CIA-s, John Ratcliffe, për të diskutuar inteligjencën izraelite mbi Iranin dhe mundësinë e rifillimit të operacioneve ushtarake.

Raportimet e mediave izraelite më 15 nëntor theksuan dallimet brenda strukturës së sigurisë lidhur me kohën e një sulmi të mundshëm, duke thënë se Gofman ishte në favor të ndërmarrjes së një veprimi ushtarak në këtë fazë, ndërsa Zamir kishte rezerva lidhur me kohën.

Komandanti i Flotës së Pestë të SHBA-së, zv/admirali Curt Renshaw, gjithashtu vizitoi Izraelin të premten për bisedime me zyrtarë ushtarakë izraelitë mbi forcimin e koordinimit dhe bashkëpunimit detar, si dhe diskutimin e operacioneve në disa fronte.

Bisedimet zhvillohen në një kohë tensionesh të vazhdueshme mes SHBA-së dhe Izraelit, nga njëra anë, dhe Iranit, nga ana tjetër, ndërsa vijojnë përpjekjet për të parandaluar rifillimin e luftimeve.