Shqipëria pritet të mbyllë nesër negociatat për Kapitullin 20-të “Ndërmarrjet dhe Politika Industriale”, duke bërë një hap tjetër në procesin e anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian (BE).
Me këtë zhvillim, Shqipëria mbyll përkohësisht katër nga 33 kapitujt e negociatave.
Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos u shpreh se janë parashikuar katër konferenca ndërqeveritare me Shqipërinë, Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën, duke e cilësuar këtë si dëshmi se procesi i zgjerimit të BE-së po ecën përpara.
“Pas vendimit të shteteve anëtare, tashmë kemi perspektivën e mbajtjes së katër konferencave ndërqeveritare me Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën. Kjo do të jetë hera e tretë që nga qershori që do të zhvillohen 4 konferenca ndërqeveritare në të njëjtën kohë”, tha Kos.
Komisionerja theksoi se “kjo është një shenjë e qartë se procesi i zgjerimit po ecën përpara. Vendet që kryesojnë këtë proces po përmbushin angazhimet e tyre dhe ne po bëjmë pjesën tonë”.
Kapitulli 20 përfshin politikat për zhvillimin e sipërmarrjes dhe industrisë, mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përmirësimin e klimës së investimeve dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë.






















