BE-ja: Kurti është zotuar të diskutojë për integrimin e strukturave paralele serbe në Kosovë
Përfaqësues serbë, nëpërmjet një deklarate, kanë dalë kundër çdo veprimi të autoriteteve për shkrirjen e këtyre institucioneve paralele në sistemin e Kosovës.
Zyrtarë të Bashkimit Evropian (BE) kanë thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është zotuar që ta adresojë integrimin e strukturave paralele serbe të shëndetësisë dhe të arsimit me serbët e Kosovës dhe me Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
"Kryeministri i Kosovës është zotuar që ta adresojë integrimin e strukturave shëndetësore dhe të arsimit, të mbështetura nga Serbia, në konsultim me serbët e Kosovës dhe BE-në, në veçanti me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë", ka thënë një zëdhënës i BE-së për mediat në Kosovë.
Kurti para një muaji, në takim me ambasadorë, kishte thënë se integrimin gradual të sistemeve paralele shëndetësore dhe arsimore në kuadër të institucioneve të Kosovës do ta bëjë në koordinim me faktorin ndërkombëtar dhe komunitetin serb, ndërkohë që BE-ja ka potencuar vazhdimisht se statusi i institucioneve shëndetësore dhe të arsimit, të mbështetura nga Serbia, duhet të adresohet në dialogun Kosovë-Serbi, në përputhje me marrëveshjet e dakorduara dhe me ligjet e Kosovës.
Përfaqësues serbë, nëpërmjet një deklarate, kanë dalë kundër çdo veprimi të autoriteteve për shkrirjen e këtyre institucioneve paralele në sistemin e Kosovës, teksa kanë kërkuar që kjo çështje të zgjidhet vetëm në kuadrin e dialogut të Brukselit.
Por, në përgjigje të kësaj deklarate, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha se do të respektohet vetëm ligji.
"Republika e Kosovës funksionon në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve aplikative. Ajo është baza mbi të cilën gjithçka në Kosovë do të funksionojë dhe duhet të funksionojë, kështu që gjithçka çka do të veprohet, do të veprohet në kuadër të kësaj kornize ligjore", ka thënë Krasniqi.
Institucionet paralele arsimore dhe shëndetësore funksionojnë ilegalisht në komunat me shumicë serbe, financim të Serbisë. Në mandatin e shkuar, Qeveria pati mbyllur disa institucione paralele, përfshirë zyra komunale, posta e ndërmarrje publike.